Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua të enjten me zyrtarë të lartë të Vatikanit, një ditë pasi u bënë publike kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj politikës së Selisë së Shenjtë për Kinën.
Vatikani e refuzoi kërkesën e zotit Pompeo për t’u takuar me Papa Françeskun, duke përmendur si arsye politikën e Selisë së Shenjtë për të shmangur audiencat e Papës gjatë fushatave zgjedhore.
Kryediplomati amerikan Mike Pompeo u takua me Kardinalin Pietro Parolin, sekretar i shtetit i Vatikanit, ndërkohë që tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Vatikanit për Kinën u shfaqën në publik.
Sekretari Pompeo, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Vatikan, Callista Gingrich, u takua gjithashtu me Ministrin e Jashtëm të Vatikanit, Kryepeshkopin Paul Gallagher.
Dy zyrtarët e lartë diplomatikë të Vatikanit e kanë akuzuar zotin Pompeo se po përpiqet të tërheqë në zgjedhjet presidenciale amerikane Kishën Katolike në SHBA, duke dënuar marrëdhëniet e saj me Kinën.
Komentet erdhën pasi zoti Pompeo akuzoi Kishën në një artikull si dhe në Twitter këtë muaj, se po rrezikon "autoritetin e vet moral" duke përtëritur një marrëveshje me Kinën për emërimin e peshkopëve nga Vatikani.
Kardinali Parolin dhe Kryepeshkopi Gallagher thanë se Papa Françesku kishte refuzuar një kërkesë të zotit Pompeo për një audiencë, sepse Papa i shmang takimet me politikanët gjatë fushatave zgjedhore.
Zoti Pompeo ishte në Vatikan për të marrë pjesë në një konferencë mbi lirinë fetare të organizuar nga ambasada amerikane në Selinë e Shenjtë.
Gjatë konferencës të mbajtur dje, zoti Pompeo e quajti Kinën shkelësen më të madhe të të drejtave fetare në botë.
Të enjten, para takimit me zyrtarët e Vatikanit, Sekretari i Shtetit bëri një vizitë në Komunitetin e Sant'Egidios në Romë, një organizatë bamirëse e krishterë.
"Departamenti i Shtetit ka punuar me ju të gjithë prej një kohë të gjatë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë," tha zoti Pompeo pas takimit me anëtarët e grupit të paqes.
Grupi Sant’Egidio është themeluar në fund të viteve 1960, dhe është emëruar disa herë për Çmimin Nobel të Paqes për punën me të varfërit.