Përfaqësuesit e vendeve që janë pjesë e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, janë takuar në Bosnjë, por pa praninë e Kosovës, për shkak të qëndrimit të shefit të entitetit serb atje.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, anuloi pjesëmarrjen në takim pasi që udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, tha se ai nuk është i mirëpritur në Banja Llukë, që është realisht kryeqyteti i Republikës Serbe, rajonit autonom të Bosnjës.
Zoti Pacolli tha se e ka anuluar pjesëmarrjen "për shkak të kërcënimeve nga Presidenti i Republikës serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, i cili në një intervistë për një medium ka deklaruar se unë dhe delegacioni im nuk jemi të mirëseardhur në Banja Llukë. Me politikan si Dodik rajoni nuk mund të ecën përpara. Gjuha kërcënuese e Dodikut na kujton një të kaluar të afërt të politikanëve radikal, si ky vet dhe pasojat e këtyre kërcënimeve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt bashkëpunimit rajonal, ndërsa ftoj zyrtarët e BE-së, sidomos ata në Komisionin Evropian që të mos heshtin ndaj këtyre fenomeneve", shkroi ai në rrjetet sociale.
Milorad Dodik, tha në fillim të javës se rajoni i tij nuk e ka njohur Kosovën dhe "ministri i atij shteti të rremë nuk është i mirëpritur në Republikën Serbe".
Bosnja, që është e ndarë në dy entitete, me një qeveri të brishtë qendrore në Sarajevë, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës për shkak të qëndrimit të serbëve të Bosnjës që ndjekin politikën e Beogradit, i cili kundërshton shtetësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Por të dyja vendet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet evropiane.
Dodik, që kërkon ndarjen e Republikës Serbe nga Bosnja, e ka shtuar retorikën nacionaliste në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen në Bosnjë më 7 tetor.
Kosova vitin e ardhshëm do të kryesojë Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.