Seancë mbi Ballkanin në Kongresin amerikan

  • Keida Kostreci

Seancë mbi Ballkanin në Kongresin amerikan

Administrata e Presidentit Barak Obama premton vazhdimësinë e angazhimit në Ballkan në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe thekson se ndryshimi i kufijve në rajon do të ishte një zgjidhje e papranueshme për Shtetet e Bashkuara. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i shprehu këto qëndrime në një seancë për Ballkanin të organizuar të martën nga Nënkomisioni për Evropën dhe Euroazinë i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon tha se në gjithë Kosovën duhet të ketë një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë dhe pa kushte. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtari amerikan, janë kundër ndryshimit të kufijve.

“Më lejoni të jem i qartë: as që bëhet fjalë që kufijtë në këtë rajon të ndryshojnë në bazë të përkatësisë etnike. Për këtë arsye, ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë zgjidhje të papranueshme”.

Po anëtari republikan i Kongresit Dana Rohrabaker nuk është i këtij mendimi. Ai thotë se ndryshimi i kufijve me marrëveshje, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ndihmonte për zgjidhjen e problemeve.

“A po imponojmë ne vullnetin tonë ndaj Serbisë dhe Kosovës duke u kërkuar që të mos bëjnë një marrëveshje për të rishikuar kufijtë e tyre në mënyrë që më shumë serbë të jenë në Serbi dhe më shumë kosovarë në Kosovë?”

Duke iu përgjigjur ligjvenësit, zoti Gordon tha se nuk dinte që të dyja palët të kishin arritur ndonjë marrëveshje në këtë drejtim.

“Nuk mendoj që është në interesin tonë që të spekullojmë për shkëmbim territori në rajon, sepse po t’i hysh kësaj rruge rrezikon që të hapësh një debat të tillë për të gjithë fqinjët në rajon”.

Kryetari republikan i nënkomisionit për Evropën, ligjvenësi Dan Burton, e kritikoi politikën e adminsitratës për Ballkanin.

“Një paqe afatgjatë në Ballkan nuk mund të imponohet nga komuniteti ndërkombëtar, duhet të vijë nga brenda”.

Ai tha se kjo ishte një nga arsyet që e kishte shqetësuar atë kur Shtetet e Bashkuara njohën Kosovën, pa përfunduar bisedimet. Ai la të kuptohej se nuk e konsideron të mbyllur çështjen e Kosovës dhe tha se Uashingtoni duhet të mbështesë dialogun.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë statusin e Kosovës të mbizotërojë diskutimin për anëtarësimin e Serbisë në organizatë. Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet si pjesë e anëtarësimit dhe jo si parakusht për fillimin e procesit”.

Zoti Gordon, tha se Shtetet e Bashkuara i mbështesin aspiratat e Serbisë për integrim evropian, por se Serbia duhet të pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, shumë etnike, brenda kufijve aktualë. Të njëjtin mendim shprehën anëtarja e nënkomisionit, republikanja Jean Schmidt, si edhe demokrati Eliot Engel i cili shprehu shqetësimin për institucionet paralele në Mitrovicë. Duke folur për veriun ai tha se nuk duhet lejuar mungesa e rendit në këtë pjesë të Kosovës:

“Unë jam në favor të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, por nuk mendoj se Serbia mund të anëtarësohet para Kosovës, sepse nëse kjo ndodh Serbia do ta bllokonte Kosovën ashtu siç po e bllokon për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”.

Zoti Gordon tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara duan që të gjitha vendet ta njohin Kosovën, por në veçanti pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Mendoj se në tre vjet Kosova ka treguar se është e angazhuar që të jetë demokraci, një shtet shumë etnik, se do që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian do të ishte më i efektshëm, nëse ato pesë vende do ta kishin njohur Kosovën dhe ne vazhdojmë t’i nxisim ato që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Zoti Gordon theksoi se megjithë sfidat e tjera në botë zënë një pjesë të mirë të kohës së udhëheqësve të politikës së jashtme, Shtetet e Bashkuara nuk e harruar rëndësinë e këtij rajoni.

“Sekretarja Klinton është personalisht e angazhuar në këtë drejtim dhe në dialogun tonë me partnerët e Bashkimit Evropian, Balkani është një nga temat kryesore. Ne e ngremë gjithmonë çështjen e njohjes me vendet që nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe me ata që e kanë bërë. Më besoni kur ju them se këtë temë unë e ngre shumë shpesh me kolegët e mi”.

Edhe hetimi për akuzat e raportit Marty, ishte një një nga temat e debatuara dje. Si anëtari i Kongresit Burton ashtu edhe anëtari republikan Ted Poe, të cilët ishin pjesë e një delegacioni që sapo ka vizituar rajonin, shprehën shqetësim të thellë për akuzat dhe e nxitën zotin Gordon që Departamenti i Shtetit të jetë më i angazhuar për këtë problem serioz. Zoti Gordon konfirmoi se Departamenti po i jep rëndësinë e duhur kësaj çështjeje duke theksuar se ka emëruar në krye të hetimeve të EULEX-it ish-ambsadorin për krime lufte, Clint Williamson.