Schumer - pragmatizëm, eksperiencë dhe ego në rolin e udhëheqësit të shumicës në Senat

Senatori Chuck Schumer duke dëgjuar gjatë një takimi virtual me gjeneralin në pension Lloyd Austin, i emëruar për t'u bërë sekretar i mbrojtjes nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden (15 dhjetor 2020)

UASHINGTON - Pas gati një çerek shekulli në politikë, Senatori demokrat Chuck Schumer pritet të marrë drejtimin si udhëheqës i shumicës në një Senat ku palët janë të përfaqësuara në nivel të barabartë. Ai do të jetë kështu në epiqendër të betejave legjislative që do të pasojnë inaugurimin me 20 janar të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Zoti Schumer, 70 vjeç, njujorkezi i parë dhe personi i parë me origjinë hebre që do të mbajë postin e udhëheqësit të maxhorancës në Senat, do të pasojë udhëheqësin e tanishëm të shumicës republikane Mitch McConnell nga shteti Kentaki, në një moment plot rreziqe. Shtetet e Bashkuara i ka mbërthyer pandemia vdekjeprurëse, ekonomia është goditur rëndë dhe vendi është ende i tronditur nga sulmet ndaj Kapitolit të mërkurën e kaluar nga një turmë mbështetësish të Presidentit Donald Trump.

Kreu i pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke folur gjatë rimbledhjes së Senatit pas sulmeve ndaj Kapitolit (6 janar 2021)

Për më tepër, zoti Schumer ka gjasa ta marrë rolin e tij të ri udhëheqës në mesin e një tjetër beteje të nxehtë për të larguar Presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse mandatit të presidentit republikan po i vjen fundi.

Senati i ri me shumicë demokrate nuk ka gjasa të veprojë për shkarkimin derisa të jetë betuar në detyrë Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden më 20 janar. Ndër detyrat e para të zotit Schumer do të jetë hartimi i një strategjie për të konfirmuar anëtarët e kabinetit të zotit Biden dhe njëkohësisht për të miratuar iniciativa jetike legjislative, ndërsa paralelisht zhvillohet një gjyq në Kongres ndaj zotit Trump.

Në një letër drejtuar kolegëve në Senat këtë javë, zoti Schumer u zotua se procesi i hetimit dhe gjykimit nuk do të ndërhyjë tek axhenda e Partisë Demokrate, ku përfshihet miratimi i paketës së stimulit ekonomik ndaj pandemisë së koronavirusit, ku do të jepen pagesa individuale prej 2 mijë dollarësh, si dhe asistencë për shtetet amerikane dhe qeverisjen lokale.

Ai radhiti edhe objektiva të tjerë, si "legjislacion të guximshëm për të triumfuar përballë krizës klimatike" dhe përpjekje për të ndrequr sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit për fëmijët, raportoi agjensia e lajmeve Associated Press.

Zoti Biden ka inkurajuar zotin Schumer dhe udhëheqësit e tjerë demokratë të ndjekin një përqasje me dy fronte, duke ndarë ditët legjislative ndërmjet gjyqit në Kongres dhe konfirmimit të të emëruarve të tij në postet e larta qeveritare.

Megjithëse Presidenti Trump nuk do të jetë më në detyrë kur Senati të zhvillojë gjyqin ndaj tij, zoti Schumer, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe demokratë të tjerë, kanë vënë në dukje se zotit Trump do t'i ndalohej kandidimi sërish për president në vitin 2024, nëse shpallet fajtor për nxitje të dhunës ndaj qeverisë.

Kamala Harris dhe Chuck Schumer

Momenti i paqartë i kalimit të kontrollit të Senatit

U desh fitorja e dy vendeve të Senatit në balotazhet në Xhorxhia më 5 janar, që kontrolli i Senatit të kalonte nga republikanët tek demokratët, duke ngritur kështu edhe zotin Schumer nga udhëheqës të pakicës në detyrën më të lartë drejtuese.

Është momentalisht e pamundur të përcaktohet dita e saktë kur zoti Schumer do të marrë kontrollin e Senatit, pasi Senati është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes dy partive, si dhe për shkak të disa veçantive në ligjin zgjedhor.

Senati do të jetë i përbërë nga 50 demokratë dhe 50 republikanë dhe vota e Nënpresidentes Kamala Harris do të sigurojë fitoren për demokratët. Sidoqoftë, të gjitha këto nuk mund të realizohen derisa të fillojnë detyrën zëvendësuesi i zonjës Harris, e cila aktualisht është vetë senatore, si dhe dy senatorët e zgjedhur në Xhorxhia.

I emëruari për të zëvendësuar zonjën Harris, Sekretari i Shtetit të Kalifornisë Alex Padilla, mund të fillojë detyrën sapo të inaugurohet zonja Harris. Por, dy senatorëve të zgjedhur në Xhorxhia, Raphael Warnock dhe Jon Ossoff, mund t'u duhet të presin deri në 22 janar për të marrë postet e tyre, në varësi të kohës kur zyrtarët e atij shteti çertifikojnë rezultatet.

Ish-Nënpresidenti Joe Biden duke biseduar me Senatorin Schumer në përvjetorin e 19-të të sulmeve terroriste në Nju Jork (11 shtator 2020)

Një histori pragmatizmi

Megjithëse pozicioni i tij si udhëheqës partie e vendos zotin Schumer në epiqendër të skenës politike, historiku i tij në politikë në nivelin e shteteve amerikane dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara gjatë 45 viteve të fundit është karakterizuar nga një gjurmë e thellë pragmatizmi dhe dëshire për të arritur marrëveshje me palën tjetër.

Në veçanti, zoti Schumer ka shërbyer si urë lidhëse mes partive për çështje të lidhura me sektorin e shërbimeve financiare, një ndër sektorët më të rëndësishëm të shtetit nga i cili ai vjen. Ai është kritikuar shpesh nga anëtarët e partisë së tij për afërsinë me Wall Street-in.

Ai gjithashtu u përpoq të arrijë marrëveshje dypartiake për çështje të debatueshme. Ai ishte anëtar i "Grupit të 8-shes", një grup senatorësh që në vitin 2013 udhëhoqën një përpjekje të suksesshme dypartiake për të kaluar në Senat një ligj për reformimin gjithëpërfshirës të emigracionit. Më pas ligji u bllokua në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë viteve, zoti Schumer ka qenë një mbështetës i fortë i shumë objektivave të politikave të lidhura me Partinë Demokrate. Në veçanti, ai ka qenë një aktivist i fortë për kontrollin e armëve, zgjerimin e qasjes në sigurimet shëndetësore dhe të drejtën e grave për të zgjedhur abortin.

Sidoqoftë, ai gjithashtu ka qenë i gatshëm të shkëputet nga partia e tij. Ai ndonjëherë i ka rezistuar përpjekjeve për të rritur taksat për njerëzit me të ardhura të larta, duke theksuar se në zona me kosto të lartë si Nju Jorku, nivelet e të ardhurave që do të konsideroheshin shumë të larta diku tjetër, janë të nevojshme për të ruajtur një mënyrë jetese të klasës së mesme.

Mbështetja e fortë e zotit Schumer për Izraelin e ka lënë atë në kundërshti me partinë e tij në raste të caktuara. Ai votoi kundër marrëveshjes bërthamore të Iranit të negociuar nga administrata Obama në 2015 dhe foli në favor të vendimit të diskutueshëm të Presidentit Trump për të lëvizur ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Izrael në qytetin e kontestuar të Jeruzalemit.

Një aktivist dhe organizator i aftë politik, zoti Schumer nuk ka humbur kurrë zgjedhjet në karrierën e tij. Ai gjithashtu drejtoi Komitetin e Fushatës Senatoriale Demokrate (DSCC), duke udhëhequr partinë në rimarrjen e kontrollit të Senatit në 2006 dhe duke larguar nga detyra gjashtë senatorë republikanë. Në zgjedhjet pasuese, ende nën udhëheqjen e zotit Schumer, DSCC ndihmoi partinë të fitonte edhe tetë vende të tjera.

Aftësitë e tij si politikan do të testohen plotësisht në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, ku mekanizmat përmes së cilëve edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një propozim ligjor, mund ta bëjnë të vështirë miratimin e ndonjë legjislacioni me më pak se 60 vota, dhe ku edhe masat që mund të kalohen me një shumicë të thjeshtë, do të duhet të kënaqin demokratët më konservatorë në Senat.

"Schumer është i kufizuar si nga taktikat bllokuese, ashtu edhe nga preferencat e anëtarëve të tij më pak liberalë", tha Kyle Kondik i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias. “Kjo listë fillon me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore".

"Duket sikur pagesat stimuluese prej 2 mijë dollarësh do të jenë një çështje e hershme e axhendës për Kongresin e ri. A mund ta strukturojë Schumer në një mënyrë të tillë që të mund të sigurojë votën e Manchin-it, i cili ka thënë se nuk i sheh pagesat si një përparësi kryesore? Apo, nëse ai humbet mbështetjen e Manchin-it, a mund të gjente votat e republikanëve? Mënyra se si do të zhvillohen gjërat do të jetë një provë interesante e hershme për Schumer-in si udhëheqës i shumicës".

Në Park Slope, të Bruklinit, njerëzit marrin pjesë në votimin e hershëm (27 tetor 2020, Bruklin, New York)

Një bir i Bruklinit

Ngritja e zotit Schumer në një prej pozicioneve më të fuqishme në vend vjen si kulmim i një karriere politike që është shtrirë përgjatë pesë dekadave. Duke filluar si anëtar i asamblesë së Nju Jorkut në 1975, zoti Schumer ngjiti shkallët vazhdimisht, duke shërbyer 18 vjet si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, përpara se të zgjidhej në Senat për herë të parë në vitin 1998.

I lindur në Bruklin, Nju Jork, në vitin 1950, zoti Schumer ende jeton po aty, në lagjen Park Slope, së bashku me bashkëshorten e tij prej 40 vitesh, Iris Weinshall. Ata kanë dy vajza të rritura. Zoti Schumer ndoqi Kolegjin e Harvardit dhe Fakultetin Juridik të Harvardit, si dhe u liçensua në avokaturë në shtetin e Nju Jorkut, megjithëse nuk e ushtroi kurrë këtë profesion.

Zoti Schumer është kushëri i dytë i aktores dhe komedianes Amy Schumer.

Zoti Schumer është bërë shpesh objekt i shakave në Kapitol për shkak të tendencave të tij protagoniste dhe dëshirës për publicitet. Ish-udhëheqësi i shumicës dhe kandidati republikan për president Bob Dole u shpreh dikur se "vendi më i rrezikshëm në Uashington është ndërmjet Charles Schumer-it dhe një kamere televizive".