Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në prokurori 8 punonjës të Hipotekës në Sarandë për shpërdorim të detyrës. Për të tetë zyrtarët vendorë Kontrolli i Shtetit ka dorëzuar në Prokurori dokumentacionin e shkeljeve të konstatuara për regjistrime të pasurive në bregdetin jugor, kryesisht në zonën e Ksamilit, pa dokumentacionin e duhur ligjor.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit kallzimet në Prokurori u bënë për një regjistrues dhe një ish-regjistrues, ish-zv/regjistruesin dhe 5 specialistë vendore të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Sarandë. Sipas KLSH, zyrtarët kanë kryer shkelje në dhjetëra raste për regjistrimin e pronave, arkëtimin e të ardhurave, lëshimin e çertifikatave të pronësisë për pasuri të kufizuara më parë, etj.
Zona bregdetare nga Vlora në Sarandë njeh një intesitet ndërtimesh, kryesisht turistike. Vitet e fundit krahas konflikteve në gjykata dhjetëra dosje tokash dhe kullotash dhe trojesh ndërtimi kanë përfunduar në prokuroritë e Vlorës dhe Sarandës për shkak se në abuzime janë përfshirë edhe zyrtarë vendorë.