Një anketë e re tregon se kandidati demokrat për garën e zgjedhjeve presidenciale Bernie Sanders kryeson garën e demokratëve në shtetin e Ajouës, ku në muajin shkurt do të fillojë votimi për zgjedhjen e personit që do të emërojë Partia Demokrate për t’u ndeshur me kandidatin presidencial të Partisë Republikane.
Anketa e zhvilluar nga Universiti Quinnipiac tregon se Sanders, senator nga shteti verilindor i Vermontit, ka mbështetjen e 41 për qind të të anketuarve, i pasuar nga Hillary Clinton, me 40 për qind, një ndryshim i rëndësishëm nga dy muaj më parë, kur zonja Clinton kryesonte anketat për votimet paraprake në Ajoua, ku ajo kishte 19 për qind më tepër se kandidatët e tjerë.
Nënpresidenti Joe Biden, i cili nuk ka shpallur ende kandidaturën, por mund ta bëjë një gjë të tillë, kishte mbështetjen e 12 për qind të të anketuarve.
Anketa të tjera tregojnë se zoti Sanders kryeson garën e demokratëve edhe në shtetin tjetër Nju Hemshër, ku mbahen zgjedhje paraprake për kandidatët presidencialë. Megjithatë, shumica e anketave tregojnë se zonja Clinton udhëheq garën e demokratëve në shkallë kombëtare.