Kryeministrja britanike, Theresa May tha të shtunën se Britania do të vendosë se si do të veprojë më tej, pasi Rusia njoftoi më herët se do të dëbojë 23 diplomatë britanikë
"Ne nuk do të tolerojmë kurrë një kërcënim ndaj jetës së qytetarëve britanikë dhe të tjerëve në territor britanik nga qeveria ruse. Ne na krijon siguri, mbështetja e madhe që kemi marrë nga miqtë dhe aleatët tanë në gjithë botën”, tha zonja May në një forum të Partisë Konservatore në Londër.
Lëvizja hakmarrëse e Rusisë erdhi pas vendimit të mëparshëm të Britanisë këtë javë për të dëbuar 23 diplomatë rusë, pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, që u gjetën pa ndjenja në një park në qytetin anglez Salisbury dhe dërguan në spital ku vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.
Zyrtarët britanikë thonë se agjenti nervor kimik i njohur si Novichok, zhvilluar nga Bashkimi Sovjetik dhe trashëguar nga Rusia, ishte përdorur për sulmin.
Rusia tha se masat e saj të shtunën, ishin reagim ndaj “veprime provocative” dhe “akuzave pa bazë për incidentin në Salisbury."
Diplomatët britanikë në Rusi konsiderohen "persona non grata dhe duhet të dëbohen brenda një jave", sipas deklaratës që u bë publike pasi Rusia thirri ambasadoren Laurie Bristow në Ministrinë e Jashtme.
Rusia ka deklaruar gjithashtu mbylljen e Këshillit Britanik në Rusi dhe ka anuluar marrëveshjen për rihapjen e konsullatës britanike në në Shën Peterburg.
Në komunikatë thuhet se qeveria mund të ndërmarrë edhe masa të tera nëse Britanike ndërmerr lëvizje të tjera "jomiqësore" ndaj Rusisë.
Sekretari i Jashtëm britanik, akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se ka urdhëruar personalisht helmimin e Skripalëve, që janë në gjendje të rëndë pas sumit më 4 mars. Zëdhënësi i Putinit hodhi poshtë pohimet.
Rusia ka mohuar fuqishëm përfshirjen në sulm, por fuqitë perëndimore e shohin atë si dëshminë më të fundit të ndërhyrjes së supozuar ruse jashtë vendit. Tensionet kërcënojnë të lënë nën hije rizgjedhjen e pritur të Putinit të dielën për një mandat të ri gjashtëvjeçar presidencial.
Shefat e diplomacisë së Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë të hënën për këtë çështje mes thirrjeve për bojkotimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në Rusi. Kryeministrja britanike po kërkon një koalicion global për të dënuar Moskën.