Aktivistët siriane njoftuan të mërkurën për sulme të reja ajrore ruse në Sirinë Perëndimore, krahas sulmeve nga forcat tokësore pro qeveritare, ndërsa Rusia po shqyrton bashkërendimin me Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë, pas kritikave ndaj fushatës së saj në Siri.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Britani, që vëzhgon dhunën në Siri, tha të mërkurën se sulmet ajrore goditën në Hama dhe Idlib bashkë me trupat siriane që përdorën raketat tokë-tokë në atë zonë.
Një zëdhënës i ministrisë ruse të mbrojtjes tha se ekspertët rus dhe amerikan do të takohen të mërkurën për të diskutuar propozimet për “bashkërendimin e veprimeve në luftën kundër” militantëve të Shtetit Islamik në Siri.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ash Carter, u tha gazetarëve të martën se të dyja palët diskutuan javën e kaluar në bisedime të iniciuara nga Rusia. Carter refuzoi të komentojë rreth përgjigjes së Shteteve të Bashkuara ndaj shkeljes së hapësirës ajrore turke nga avionët rus, duke theksuar së çështja do të diskutohet të enjten në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s.
Rusia dhe Turqia kanë folur për mundësinë e ngritjes së një grupi të përbashkët punues për bashkërendim dhe parandalim të incidenteve të mundshme lidhur me sulmet ajrore ruse në Siri.
Senatori amerikan, John McCain, i tha televizionit Alhurra se ndërhyrjet ruse në hapësirën ajrore të Turqisë janë “shumë shqetësuese”.
Zoti McCain i cili ka nxitur prej kohësh dërgimin e forcave tokësore amerikane për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ka kritikuar mënyrën se si sekretari Carter dhe anëtarë të tjerë të administratës së presidentit Barak Obama u janë përgjigjur aktiviteteve ruse në Siri, duke thënë se "të gjithë e dinë se Rusia është duke fituar."
“Ata për herë të parë që nga viti 1973 po luajnë një rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme dhe po i përmbushin të gjitha synimet e tyre, derisa ne po qëndrojmë anash në një ‘moçal’, apo shprehur me fjalët e sekretarit të mbrojtjes, joprofesional”, tha McCain. “Kjo është shndërruar në një shaka”.
Presidenti Obama autorizoi një fushatë ajrore kundër Shtetit Islamik që përfshinë më shumë se 2 mijë e 600 sulme në Siri dhe 4 mijë e 600 në Irak, por bombardimet kanë arritur një sukses të kufizuar, ndërsa presidenti ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore amerikane.
McCain tha se “qartazi” Rusia po sulmon luftëtarët e opozitës së moderuar dhe jo Shtetin Islamik , ndërsa e kritikoi si "tmerrësisht të pamoralshëm” dështimin amerikan për të mbrojtur kryengritësit sirianë të trajtuar dhe pajisur prej saj.
"Ne duhet t’u themi rusëve, do të fluturojmë ku të duam dhe kur të duam, ndërsa ju më mirë mos na dilni në rrugë”, tha ai.
Turqia raportoi për dy raste të shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga avionët rus, një të shtunën dhe një tjetër të dielën dhe dy herë e thirri ambasadorin rus për të protestuar. Zyrtarët rus thanë se shkeljet kanë ndodhur gabimisht.
Në dritën e atyre incidenteve, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vuri në pikëpyetje të martën marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
"Një sulm mbi Turqinë do të thotë një sulm ndaj NATO-s," tha zoti Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në Bruksel me kryeministrin belg.
"Marrëdhëniet tona pozitive me Rusinë janë të njohura. Por, nëse Rusia humbet një mik si Turqia, me të cilin bashkëpunon për shumë çështje, ajo do të humbasë shumë," tha zoti Erdogan.
Aleatët perëndimorë kanë kritikuar në përgjithësi përfshirjen e Rusisë në Siri dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi shkeljen e hapësirës ajrore turke. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve të martën se shkeljet nuk duken si aksident.
"Nuk do të shpreh hamendje mbi motivet ..., por këto nuk duken si aksidente dhe kemi parë dy të tilla."
Marcin Zaborowski, zëvendës president ekzekutiv i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane, tha për shërbimin persian Zërit të Amerikës se Rusia është duke u përpjekur të sprovojë kufijtë e NATO-s me shkeljen e hapësirës ajrore turke. "Kjo duket kësisoj, që Rusia po ndërmerr hapa të tillë, ndërsa Turqia po përpiqet të qëndrojë larg nga tensionet Rusi - Perëndim," tha ai.
Të hënën një ligjvënës i lartë rus tha se “njësitë e vullnetarëve rus” mund t’u bashkohen trupave qeveritare siriane për të luftuar ekstremistët e Shtetit Islamik në terren. Pohimet e tij pasuan raportimet e mediave se vullnetarët rus tashmë janë parë në terren përkrah ushtrisë siriane.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ash Carter, nuk e konfirmoi përfshirjen e trupave tokësore ruse, por e kritikoi ashpër idenë. Duke e cilësuar si “strategji të kotë”, ai tha se Moska “do të thellojë gabimin e saj në Siri”, nëse kjo është e saktë.