Serbia mori të martën dy nga gjashtë avionët ushtarakë rusë MiG-29, që janë pjesë e një blerjeje armësh ku përfshihen edhe 30 tanke të tipit T-72 dhe 30 autoblinda nga rezervat ruse. Ky shihet si një hap që synon forcimin e ndikimit të Moskës në Ballkan.
Në ceremoninë e organizuar në aeroportin ushtarak afër Beogradit, mori pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Serbia do të shpenzojë gjithsej 185 milionë euro për të modernizuar avionët MIG-29, për të cilët, ka thënë presidenti serb më herët, do të duhej të paguante mbi 600 milionë euro në treg. Dy avionët që u dorëzuan të martën i janë nënshtruar riparimit të thellë.
Serbia është duke negociuar me Rusinë edhe për blerjen e helikopterëve dhe sistemeve të mbrojtjes kundërajrore.
Forcat ushtarake serbe mbështeten në 80 për qind të tyre tek teknologjia sovjetike, një trashëgimi nga Armata Popullore Jugosllave dhe planifikojnë të blejnë pajisje nga të dyja palët, Rusia dhe Bashkimi Evropian, për të përmirësuar forcën ajrore të rrënuar nga luftërat ballkanike të viteve 1990.
Për vitin 2018, Serbia ka caktuar 703 milionë dollarë për ushtrinë e saj prej 40 mijë trupash. Në vitin 2017 ajo shpenzoi 693.8 milionë dollarë.
Të martën presidenti serb tha se është duke u shqyrtuar mundësia e rivendosjes së detyrimit ushtarak për qytetarët serbë.
Serbia, aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ndjek një linjë ekuilibri të brishtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës që kanë ardhur si pasojë e veprimeve të saj në Ukrainë.
Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall dhjetë vjet më parë më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimi Evropian.
Megjithatë Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat evropiane.
Serbia pohon se do të mbetet ushtarakisht e paanshme, ndërsa në vitin 2017 mori pjesë në më shumë se 100 aktivitete të përbashkëta me NATO-n, ose vendet anëtare të saj, përfshirë 13 stërvitje ushtarake, shtatë aktivitete dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe vetëm dy me Rusinë.