Udhëheqësi i opozitës ruse në spital, dyshohet se është helmuar

Politikani i opozitës ruse Alexei Navalny është pa vetëdije në një spital të Siberisë pasi piu një filxhan çaj, në të cilin zëdhënësja e tij dyshon se ishte hedhur helm. 44 vjeçari Navalny është nën kujdes intensiv dhe po trajtohet me një respirator artificial të mushkërive, tha zëdhënësja e tij Kira Yarmysh në mediat sociale.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, shkroi se zoti Navalny është në gjendje të rëndë, duke cituar mjekun kryesor të spitalit.

Një kritik i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny filloi të ndjehej i sëmurë të mërkurën, ndërsa ishte duke udhëtuar me avion gjatë kthimit në Moskë nga qyteti i Tomskit në Siberi, tha zëdhënësja e tij Kira Yarmysh.

Your browser doesn’t support HTML5

Alexei Navalny pa ndjenja në spital, dyshohet se është helmuar

"Ne supozojmë se Aleksei ishte helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që ai piu në mëngjes. Mjekët thonë se helmi ishte tretur më shpejt për shkak të lëngut të nxehtë. Alexei tani është pa ndjenja", thuhet në një postim të zonjës Yarmysh në Twitter.

Ajo nuk tha se kush mund ta ketë helmuar zotin Navalny, por tha se policia ishte thirrur në spital.

Megjithatë, njëri prej mjekëve tha se nuk është e sigurt se ai ishte helmuar. Doktori Anatoly Kalinichenko tha se "helmimi natyror" ishte një nga disa diagnozat që po shqyrtoheshin dhe se testimet po vazhdonin.

Russia Navalny

Alexei Navalny, një avokat dhe aktivist kundër korrupsionit, ka vuajtur shumë dënime me burg vitet e fundit për organizimin e protestave kundër Kremlinit dhe është sulmuar fizikisht në rrugë nga aktivistë pro-qeveritarë.

Ai ka ndihmuar në hetimet që ai ka thënë se janë shembuj të jashtëzakonshëm të korrupsionit zyrtar.

Rusia mban zgjedhjet rajonale muajin tjetër dhe zoti Navalny dhe aleatët e tij janë duke u përgatitur për to, në përpjekje për të shtuar të mbështetjen për kandidatët e tyre.

"Ne konfirmojmë që Alexei Navalny është shtruar në spital në Omsk dhe se mjekët e vlerësojnë gjendjen e tij si serioze. Mjekët po bëjnë gjithçka që është e mundur për të stabilizuar gjendjen e tij. Helmimit është një nga disa mundësitë që po shqyrtohen. Nuk është e mundur tani të thuhet se cili ishte arsyeja e shtrimit të tij në spital", Tatyana Shakirova, zëdhënëse e ministrisë rajonale të shëndetësisë në Omsk.

Një prej udhëtarëve në avion, Pavel Lebedev, postoi në mediat sociale një përshkrim të asaj që kishte parë.

"Në fillim të fluturimit ai shkoi në tualet dhe nuk u kthye. Ai filloi të ndjehej me të vërtetë i sëmurë. Ai po bërtiste nga dhimbja", thuhet në postimin e tij.

Navalny kishte pirë një filxhan çaj në një kafene të aeroportit Tomsk para se të hynte në avion, tha zëdhënësja e tij Yarmysh. Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi pronarët e kafeneve të thoshin se ata po kontrollonin kamerat e sigurisë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Avioni në të cilin po udhëtonte zoti Navalny bëri një ulje urgjente në Omsk, në mënyrë që ai të mund të dërgohej me nxitim në spital. Në pamjet e postuara në mediat sociale nga pasagjerët shihetzoti Navalny i shtrirë dhe pa lëvizur duke u transportuar në një ambulancë nga mjekët.

S7, kompania ajrore me të cilën ai po udhëtonte, tha se zoti Navalny kishte filluar të ndihej shumë keq menjëherë pas nisjes së avionit dhe piloti kishte vendosur të bënte një ulje emergjente në një aeroport aty pranë.

Ai nuk kishte ngrënë ose pirë asgjë në avion, thuhet në njoftimin e kompanisë ajrore.

Zëdhënësja Yarmysh bëri një krahasim të ngjarjes me një incident vitin e kaluar në të cilën zoti Navalny pësoi një reaksion akut alergjik për të cilin një mjek tha se mund të kishte rezultuar nga helmimi me një kimikat të panjohur.

"Natyrisht e njëjta gjë është bërë me të tani", thuhet në një postim të saj në Twitter.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur që arrestimet dhe ndalimi nga Rusia i zotit Navalny në vitet 2012 dhe 2014 ishin të motivuar politikisht dhe shkelje e të drejtave të tij të njeriut, një vendim që Moska e ka quajtur të dyshimtë.

Dyshimet për helmimin e zotit Alexey Navalny të enjten u bënë menjëherë shkak për spekulime: Kush do të përfitonte nga helmimi i tij? A do të përfitonin armiqtë e tij politikë dhe sidomos Kremlini nga një sulm i tillë i vrazhdë, për të cilin shumë njerëz do t’ia hidhnin fajin Presidentit Vladimir Putin?

Kremlini ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në sulmet e kaluara kundër figurave të opozitës, duke thënë se akuza të tilla janë provokime.

Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ai po vëzhgonte lajmet për gjendjen e zotit Navalny. "I urojmë atij shërim të shpejtë, ashtu siç do të bënim për çdo qytetar të vendit," u shpreh ai.

Zëdhënësi Peskov tha gjithashtu se ai nuk ka parë asnjë arsye për të informuar Presidentin Putin për incidentin, por qeveria do ta ndihmonte zotin Navalny të merrte trajtim jashtë vendit, nëse ai do ta dëshironte këtë.

Një aeroplan ambulancë me ekip të specializuar për trajtimin e pacientëve me komë pritej të nisej të enjten mbrëma nga Gjermania për të marrë zotin Navalny, i tha gazetës Bild aktivisti i të drejtave të njeriut me qendër në Berlin, Jaka Bizilj.

Russia Navalny

Bashkëshorjta e Navalny-it, Yulia dhe mjekja e tij, Anastasia Vasilyeva mbërritën në spital pasditen e së enjtes por nuk u lejuan ta vizitonin pa marrë paraprakisht miratimin e tij, tha zëdhënësja Yarmysh.

Bashkëpunëtorët e Fondacionit Anti-Korrupsion të themeluar nga Navalny, i njohur me akronimin rus FBK, nuk u lejuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për Moskën në vitin 2020, duke shkaktuar një valë protestash në rrugët e kryeqytetit.

Pavarësisht se nuk ishin në listat zgjedhore, anëtarët e FBK-së promovuan atë që ata e quajnë një strategji të zgjuar votimi e cila rezultoi në humbjen e dhjetëra kandidatëve të mbështetur nga Kremlini.

Fondacioni u sulmua nga policia dhe menjëherë pas kësaj ndaj tij u ngritën akuza për pastrim parash.

Në qershor, Navalny njoftoi shpërbërjen e fondacionit për shkak të një numri të madh gjobash të urdhëruara nga gjykata dhe dënimesh ndaj mbështetësve të tij të dhëna nga gjyqtarët besnikë të shtetit.

Një histori helmimesh të disidentëve

Nën sundimin e Presidentit Vladimir Putin, Rusia ka pasur një histori të zymtë sulmsh, helmimesh dhe vrasjesh të kundërshtarëve të qeverisë.

Në vitin 2015, aleati i zotit Navalny, Boris Nemtsov u qëllua dhe u vra në një urë jashtë mureve të Kremlinit. Vladimir Kara-Murza, ndihmës i zotit Nemtsov, mezi mbijetoi një sulm me helm disa muaj më vonë.

Russia Nemtsov demonstration Moscow Russia February 24, 2019

Vetë Navalny pësoi një djegie serioze në sy, pasi persona provokatorë hodhën lëndë kimike në drejtim të tij në vitin 2017.

Ai gjithashtu u sëmur ndërsa po vuante një muaj burgim në korrik të vitit 2019. Mjekët dyshuan se ai mund të ketë pasur kontakte me "agjentë toksik" të panjohur.

Asnjë nga shokët e tij të qelisë nuk pati simptoma të ngjashme.

Ndërkohë, vëzhguesit politikë janë përqendruar tek rrethanat e incidentit të së enjtes.

Analisti politik Anton Orekh i radiostacionit Echo të Moskës tha në një koment për mediat sociale se nëse zoti Navalny me të vërtetë ishte helmuar para fluturimit, kjo duhet të kishte për qëllim të shkaktonte dëme maksimale.

Kur je në ajër në avion, tha ai, "ndihma e shpejtë mjekësore është pothuajse e pamundur".