Rusia shfuqizon ligjin që ndalonte disa profesione për gratë

Your browser doesn’t support HTML5

Në Rusi po fryn një erë e re për gratë, të paktën për ato që duan të bëhen shofere kamioni, timoniere anijesh apo pilote. Qeveria ruse ka hapur mundësinë për disa qindra profesione që, sipas një ligji të epokës së vonë sovjetike, ndaloheshin më parë për gratë. Nga Moska njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Charles Maynes.

Këto ditë në metronë legjendare të Moskës, ka diçka ndryshe.

Gratë janë kthyer si makiniste trenash për herë të parë në më shumë se një brez.

Kishte një reklamë në gazetën tonë lokale për punonjësit e metrosë… ku kërkoheshin makiniste gra. Unë kam qenë një ndër të parët që u thirra dhe u regjistrova”, thotë Kristina Vakulenko, makiniste.

Makinistet e trenave janë vetëm një nga më shumë se 350 profesionet që u janë vënë në dispozicion grave ruse pasi qeveria shfuqizoi një ligj të epokës së vonë sovjetike i cili mbronte gratë nga profesionet që shiheshin si "të rrezikshme" për pjellorinë.

Ndryshimi shënon një fitore për aktivistet që mbrojnë të drejtat e grave, të cilat shpenzuar dekada të tëra duke sfiduar ligjin në gjykatë… e që tashmë mund të ndjekin hapur karrierat në fushën që zgjedhin, çfarëdo drejtimi të marrë kjo gjë.

"Zbulova se nuk mund të punoja edhe pse kisha patentë. Sigurisht që kjo gjë me zemëronte. Madje nuk e mendoja që qeveria mund të më lejonte të studioja, por jo të punoja. Qesharake!” thotë Evgeniia Markova, shofere kamioni.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Bashkimi Sovjetik u solli grave disa përfitime lidhur me të drejtat e tyre, shumë më të shumë, se ato që ofronte për gratë perëndimi kapitalist.

... Gratë rekrutoheshin në kauzat komuniste me premtimin për të drejta të barabarta, arsimim dhe qasje tek fuqia punëtore.

Ishte një politikë që luajti një rol të rëndësishëm në prodhimtarinë e vendit në fushën e mbrojtjes gjatë ditëve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore.

Por siç thonë aktivistet e të drejtave të grave, pritshmëritë ishin që gratë t’i bënin të dyja, karrierën e të krijonin familje.

Slogani kryesor i ish-Republikave të Bashkimit Sovjetik ishte që burrat dhe gratë janë të barabartë për sa i përket fuqisë punëtore. Por nuk ishte e vërtetë. Realiteti ynë gjatë asaj kohe dhe sot në Rusi është që gratë kanë detyra të dyfishta”, thotë Alena Popova, Aktiviste për të Drejtat e Grave.

Sot arritjet për të drejta të barabarta janë shumë larg ...

Në Rusi gratë fitojnë mesatarisht 30 për qind më pak se burrat … ndër diferencat më të thella të pagave mes vendeve të industrializuara.

Rusia gjithashtu është përballur me kritika të forta për dekriminalizimin e formave të ndryshme të dhunës në familje… pjesë e një përpjekje të qeverisë për të ruajtur familjet “tradicionale” ruse pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset grave, siç thonë kritikët.

Por sondazhet dhe përvoja jetësore tregon se ndryshimi i qëndrimeve gjinore është ndonjëherë më i vështirë sesa ndryshimi i ligjit.

Ndonjëherë kamionistë të vjetër që janë 50 ose 60 vjeç thonë se nuk pajtohen…Nuk je dakord?! Është e drejta jote, ec përpara”, thotë Evgeniia Markova, shofere kamioni.

Ndërkohë gratë vazhdojnë të mos kenë qasje në rreth 100 profesione përfshirë ato në miniera dhe ndërtim, një kufizim ndaj të cilit ato vazhdojnë të luftojnë.

"Mendoj se të gjitha profesionet duhet të jenë të hapura për gratë sepse vetë ato kanë të drejtë të vendosin se cili profesion bën për to dhe cili jo", thotë Svetlana Medvedeva, kapitene e një anijeje.

Por tani për tani, shtimi i qindra profesioneve të reja për gratë është një fitore ndaj kohës së humbur.