Kandidatja presidenciale ruse Ksenia Sobchak, personalitet në televizionin rus, thotë për Zërin e Amerikës se thashethemet janë të vërteta: Presidenti Vladimir Putin, dikur një favorit i babait të saj, do të largohej nga karriera politike po të kishte garanci se nuk do të cënohej.
"Po, mendoj se do të dilte në pension. Por është e vështirë ta bindësh se vërtetë ka një rrugëdalje dhe se mund t’u zërë besë atyre që i japin garanci se nuk do ta presë i njëjti fat si ish-diktatorin kilian Augusto Pinoshet, apo ish-diktatorin libian, Moamar Gadafi. Ai i trembet shumë kësaj mundësie”.
Kandidatura e 36-vjeçares Sobchak është vënë në pikëpyetje nga aktivistë të opozitës, të cilët dyshojnë se fushata e saj është thjesht inskenim i Kremlinit për të ndihmuar një fitore tjetër të Vladimir Putinit. Por pretendimet që ajo ngre janë dëgjuar edhe nga të tjerë.
Alexei Navalni, aktivisti shumë popullor anti-korrupsion, ka bërë pretendime të ngjashme disa muaj më parë.
Pasi iu hoq e drejta për të konkurruar për post publik nga akuza që përkrahësit e tij i shohin si të motivuara politikisht, Navalni e ngriti idenë e dëshirës së Putinit për të lënë politikën. Por ai është jashtë rrethit të presidentit rus. Ndërsa Sobchak është e para që e bën këtë koment nga njerëzit që e njohin personalisht Putinin.
E pyetur nëse tranzicioni në duart e një udhëheqësi tjetër që nuk i përket rrethit të aleatëve të fuqishëm të Putinit mund të realizohet pa dhunë, ajo thotë se procesi do të kërkonte një strategji politike:
"Po flasim për një strategji afat-gjatë politike. Pas gjashtë vjetësh Putini nuk do të kërkojë ndryshime të reja kushtetuese që të marrë përsëri pjesë në zgjedhje”.
Një ndryshim i ngadaltë kërkon që të minimizohet “agresioni” duke lejuar “njerëz të rinj, të talentuar, si dhe një figurë politike të zgjedhur me kompromis që përmbush kërkesat e opozitës, por që pranohet edhe nga Putini,” thotë ajo.
"Duhet të tregojmë se duam ndryshim regjimi, por jo hakmarrje për vitet e kaluara,” përndryshe thotë ajo, nëse vazhdon fryma e shpagimit, regjimi do të trembej edhe më shumë dhe Putini nuk do të heqë kurrë dorë nga pushteti.
"Jo thjesht garanci, por dëshmi se Rusia mund të evolojë dhe është e gatshme për zgjedhje dhe se Putini nuk duhet të shqetësohet se gjykatat që ai i ka shndërruar në institucione-kukulla, do ta ndjekin penalisht”.
Dëshira për Marrëdhënie më të Mira
Zonja Sobchak ishte në një numër aktivitetesh me figura të rëndësishme këtë janë në Uashington, ku iu kundërvu komenteve të skeptikëve, përfshirë Navalnit, duke thënë se kishte ambicje të mirëfillta politike.
Në komentet në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të martën, zonja Sobchak tha se kishte në plan të takohej me zyrtarë amerikanë për sanksionet kundër Rusisë.
"Dua të theksoj se Rusia nuk është Putini, se jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe se shumë njerëz në Rusi që duan përmirësim të marrëdhënieve mes vendeve tona nuk e shohin Amerikën si armike të Rusisë”.
Uashingtoni vendosi fillimisht masa për ngrirjen e pasurive dhe ndalim udhëtimesh në 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe shpërthimit të luftimeve mes forcave ukrainase dhe separatistëve rusë. Masat që vijuan pasuan raportet e zbulimit amerikan se Rusia ishte mobilizuar në aktivitet për të ndikuar tek zgjedhjet e 2016.
Këto sanksione janë në fuqi edhe gjatë administratës Trump, megjithë komentet e presidentit për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën.
Verën e kaluar Kongresi miratoi një ligj për masa të reja ndëshkimore kundër Rusisë por javën e kaluar Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit nuk pranuan t’i zbatojnë sanksionet e reja.
Duke shprehur mbështetje për sanksionet amerikane që kanë në shenjestër “individë të korruptuar” në Rusi, zonja Sobchak kritikoi “listën e Kremlinit” – e hartuar nga Departamenti i Thesarit, me emrat e 210 rusëve të identifikuar si individë me lidhje të ngushta me Putinin. Ajo e cilësoi atë si një listë e thjeshtë me emrat e individëve më të pasur dhe zyrtarëve qeveritarë.
Kritikë si Navalni e përshëndetën listën, por përkrahës të presidentit rus e cilësuan si akt armiqësor. Ndërkaq, vëzhgues të zhvillimeve politike ruse si Konstantin von Eggert thanë se lista ishte aq e gjerë sa që i bën të pavlefshme rolet e grupeve të interesit brenda dhe jashtë Kremlinit.
"Duket sikur jemi kthyer në Luftën e Ftohtë,” tha Sobchak, duke shtuar se ajo vetë do të përpiqej të luante rolin e ndërmjetëses mes Moskës dhe Uashingtonit.
Ngërçi Diplomatik
Sobchak thotë se as udhëheqja politike ruse, as ajo amerikane nuk pritet të telkalojnë ngërçin aktual diplomatik, që kulmoi me ligjin për regjistrimin e agjentëve të huaj. Ajo thotë se është kundër këtij ligji.
(( https://www.voanews.com/a/russia-marks-us-news-outlets-as-foreign-agents/4149685.html ))
Ajo shton se Putini nuk pritet të bëjë hapin e parë, por se të tjerët duhet të bëjnë ç’është e mundur që të bindin dy udhëheqësit të heqin dorë nga egoja mashkullore dhe të ndërmarrin hapin e parë.
"Nëse ata nuk janë gati, e bëj unë hapin e parë. Këtu jam, po takohem me zyrtarë. Mendoj se do të takohem edhe me Donald Trumpin. Dua ta filloj këtë proces”.
E pyetur nëse Kremlini e kishte instruktuar të përpiqej për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin, ajo përgjigjet:
"Nuk kam nevojë për mandat. Jam gati të tregoj se Rusia ka një udhëheqje politike që është e gatshme për këtë dialog”.
Ndër gjashtë kandidatët që do të përfshihen në fletëvotime, Sobchak njihet si personalitet televiziv. Babai i saj, Anatoli Sobchak, ishte kryebashkiak i Shën Peterburgut. Ai solli vite më parë një officer të panjohur të KGB-së, të quajtur Vladimir Putin, të punonte në zyrat e bashkisë dhe të dy u bënë miq.
Sobchak, e cila ka hedhur vazhdimisht poshtë zërat se ka lidhje të ngushta personale me Presidentin Putin, e përshkroi takimin me Putinin në 2017 si një intervistë që zhvilloi me të për një dokumentar që po realizon ajo.
Kritikë të Kremlinit thonë se pjesa më e madhe e kandidatëve janë thjesht personalitete kukulla sa për të mbushur fletëvotimet me emra në mënyrë që të sigurohet fitorja e Putinit në një mjedis politik të kontrolluar fort.