Drejtuesit e kompanive Facebook, Google dhe Twitter javën e kaluar u takuan me ligjvënësit në Kongres për t'iu përgjigjur pyetjeve rreth përpjekjeve të Rusisë për të përdorur platformat e tyre për të përhapur dezinformata gjatë dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo i hedh një vështrim nivelit të fushatës ruse dhe atë që ligjvënësit amerikanë duan të bëjnë për këtë çështje.
Ishte një nga qindra protestat në mbarë Shtetet e Bashkuara në ditët pas zgjedhjeve të vitit 2016.
"Ne kemi zgjedhur një njeri, i cili është një racist i madh, anti-feminist, homofob, transfob, çdo gjë të tmerrshme që mund ta mendoni, tani ai po drejton vendin tonë. Nuk e di se si ka ndodhur kjo, është e neveritshme dhe ne duam që zëri ynë të dëgjohet", tha Adam Diorio gjatë një proteste pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Por kjo protestë ishte ndryshe. Si shumë të tjera, ajo u organizua në Facebook.
Por, grupi që po merrej organizimin e saj ishte i lidhur me qeverinë ruse.
Për muaj, lajmi ka qenë se Rusia donte që Donald Trump t’i fitonte zgjedhjet. Rezulton se operativët rusë kanë futur në lojë të dyja palët para dhe pas zgjedhjeve, si pjesë e një fushate të gjerë në mediat sociale për të shfrytëzuar përçarjet në një elektorat amerikan që tashmë ishte i përçarë.
Shkalla e ndërhyrjes u bë e qartë këtë muaj, kur drejtuesit e disa kompanive të mediave sociale dëshmuan para Kongresit.
"Aktorët e huaj, të fshehur pas profileve të rreme, kanë abuzuar me platformën tonë dhe shërbimet e tjera të internetit në përpjekje për të nxitur përçarje, mosmarrëveshje dhe për të minuar zgjedhjet. Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me vlerat tona dhe shkon kundër çdo gjëje që Facebook mbështet", tha avokati i Facebook-ut, Colin Stretch.
Një nga përgjegjësit kryesorë të këtyre veprime është Agjencia ruse e Kërkimeve në Internet (IRA) me bazë në Shën Petersburg të Rusisë.
Gjatë dy viteve, punonjësit e e kësaj agjencie, të lidhur me Kremlinin krijuan 80,000 postime në Facebook ndaj të cilave janë ekspozuar 126 milionë njerëz.
Twitteri gjithashtu gjeti 2,752 profile të lidhura me Agjencinë ruse të Kërkimeve në Internet, të cilat publikuan rreth 131,000 postime.
Përmbajtja e tyre ishte si pro ashtu edhe anti-Trump-it. Një pjesë e madhe e tyre nuk ishte e lidhur me zgjedhjet.
Por a kanë bërë këto postime ndonjë ndryshim në zgjedhjet e vitit 2016?
"Ne ende nuk i kemi këto të dhëna. Ne e dimë se ndaj këtyre postimeve janë ekspozuar 126 milionë njerëz", thotë Hector Postigo nga Universiteti Temple.
Megjithëse shkalla e ndikimit rus në zgjedhje nuk është e qartë, shumë ligjvënës janë të vendosur ta ndalojnë atë.
"Ju keni krijuar këto platforma dhe tani ato janë duke u keqpërdorur. Dhe ju duhet të jeni ata që duhet të bëni diçka për këtë, ose ne do të merremi më ketë çështje", tha senatorja demokrate Dianne Feinstein.
Por çfarë mund të bëhet? Një hap i mundshëm është zbatimi i rregullave të zbulimit të burimit të reklamave politike ashtu siç bëjnë kanalet televizive. Në reklamat politike zbulohet emri i personit apo organizatës që financon ose ka krijuar reklamën.
Por nëse kompanitë e mediave sociale ndërmarrin hapa për të rregulluar përmbajtjen në internet, a do të dëmtonte kjo fjalën e lirë? Është një ekuilibër i vështirë.
"Interneti paraqet sfida unike për demokracinë. Fillimisht të gjithë mendonin se kjo ishte një forcë barazie, në thelb, duke u dhënë zë atyre që ishin të pazëshëm. Pastaj ne e kuptuam se nëse njerëzit lejohen të flasin kur të duan me aq njerëz sa duan, kjo u jep mundësinë të flasin edhe personave me bindje jodemokratike", thotë Nate Persily nga Universiteti i Stanford-it.
Dhe kjo është një ide që shumë ekspertë po përpiqen ta përhapin, pra se aktorët e këqij janë të pranishëm në internet, përpiqen të manipulojnë njerëzit dhe se është përgjegjësia e vetë përdoruesve të internetit që të jenë të vetëdijshëm për këtë. Ata duhet ta dijnë se cilat lajme ose burime lajmesh janë të rreme, madje edhe në cilën protestë ata duhet të marrin pjesë.