Rusia ka ndaluar një qytetar amerikan në Moskë nën akuzat për spiunazh, sipas mediave shtetërore ruse.
Zyrtarët e Shërbimit Federal të Sigurimit Rus (FSB) lëshuan një deklaratë të hënën duke thënë se shtetasi amerikan Paul Whelan ishte arrestuar më 28 dhjetor "gjatë kryerjes së një vepre spiunazhi" dhe se ata kanë hapur një hetim penal.
Zyrtarët nuk ofruan hollësi të mëtejshme, por agjencia shtetërore e lajmeve TASS njoftoi se Paul Whelan përballet me 20 vjet burg nëse dënohet.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha të hënën Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni për ndalimin e një shtetasi amerikan nga autoritetet ruse.
Departamenti i Shtetit nuk dha detaje të mëtejshme, duke përmendur shqetësimet e privatësisë.
Arrestimi përkon me disa skandale spiunazhi që kanë përkeqësuar tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, duke përfshirë helmimin e ish agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani, së bashku me shpalljen fajtore të shtetases ruse Maria Butina, si agjente e Rusisë në SHBA.
Lajmi i arrestimit të zotit Whelan erdhi më pak se 24 orë pasi presidenti rus Vladimir Putin publikoi një përshëndetje me rastin e Vitit të Ri për presidentin Donald Trump, ku thoshte se Moska është e gatshme për vazhdimin e një dialog me Uashingtonin për një numër temash.
Në vitin 2016, gazeta Izvestia, e lidhur me Kremlinin, njoftoi se në burgjet ruse kishte 13 shtetas amerikanë. Kremlini nuk ka publikuar asnjë hollësi mbi amerikanët e tjerë që aktualisht mbahen në Rusi.