Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit përshëndet Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit

Unë kam kënaqësinë e veçantë, e bile mund te them që kam privilegjin që më jepet rasti – për të cilin ju falenderoj- që të përshëndes Zërin e Amerikës, me të cilin kam kujtime shumë te bukura dhe një lidhje shumë, shumë, shumë të gjatë, pasi unë kam qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm, gjithashtu edhe gjatë këtyre 20 viteve të qëndrimit në Shqipëri…!

Duke qenë se ishte zëri i vetëm i lirisë që depërtonte me shumë halle, me shumë frikë edhe në familjet shqiptare, sikurse edhe në vendet e tjera të kombeve të robëruara komuniste, aq më tepër vlera e Zërit të Amerikës vlerësohet dhe unë mendoj se është e pamundur të vlerësohet në përmasa reale efekti i të gjithë asaj që Zëri i Amerikës ka bërë gjatë 70 viteve për popujt e robëruar nga zgjedha e komunizmit dhe diktaturave komuniste.

Unë kam shumë kujtime, jo vetëm gjatë qëndrimit tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1970, por takimi im me Zërin e Amerikës ka qenë në vitet 1960, kur ishte në një moshë shumë të re, dhe kur unë isha student në Zagreb dhe mblidheshim në dhomën e ndonjë shoku, me ndonjë tranzistor, mundoheshim që të kapnim valët e Zërit të Amerikës, që emetohej në gjuhën serbo-kroate atëherë, por që ishte jashtëzakonisht tërheqës për ne, e më pas komentet e veçanta që ne i dëgjonim. Më pas, qëndrimi im në Amerikë dhe kontaktet e mia të rregullta me reporterët, me disa prej të cilëve ishin kontakte dhe lidhje miqësore, që për çdo rast për festa të mëdhaja ftohesha që t’i jepja një mesazh bashkatdhetarëve të mi, bashkëkombasve të mi këtu në Shqipëri, sidomos kur ishte krejtësisht e ndaluar; kjo ishte ndoshta si një pikë uji në shkretëtirë – kështu e kanë komentuar të paktën ata njerëz që kishin rastin ta dëgjonin Zërin e Amerikës në atë kohë. Ndaj me rastin e 70 vjetorit, dua të them se Zëri i Amerikës në kohën e errësirës informative në të cilën gjendej vendi ynë krejtësisht i shkëputur nga çdo informatë që vinte nga bota perëndimore, nga bota e lire; ishte i vetmi zë që përçonte këtë zë të lirë në këtë vend krejtësisht të izoluar, dhe sigurisht njerëzit me një kuriozitet jashtëzakonisht të madh shpeshherë fshehtas edhe anëtarëve të familjes së tyre, mundoheshin që të kapnin diçka e të dëgjonin për botën normale, për botën e lirë…!

Por Zëri i Amerikës nuk e ka humbur aspak vlerën e vet edhe gjatë viteve të demokracisë, sepse edhe në këtë kohë kur Shqipëria për fatbardhësi, ka marrëdhënie aq të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë aleatët më të mëdhenj dhe miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë, ndihmon tani në një formë tjetër, tashmë jo për të zbardhur e për të zbuluar të vërtetën, por më tepër për të përforcuar këtë miqësi, duke na dhënë shpesh herë modele të demokracisë e jetës amerikane që aplikohet dalëngadalë edhe në në shoqërinë tonë …

Unë uroj që këtë mision Zëri i Amerikës ta vazhdojë edhe më tej, me sukses siç ka bërë deri tani….!