Rritja e kapaciteteve ushtarake të Kinës, shkakton shqetësime

  • Stefani Ho

Rritja e kapaciteteve ushtarake të Kinës, shkakton shqetësime

Rritja e kapaciteteve ushtarake të Pekinit ka ngritur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët e Kinës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Stefani Ho nga Pekini, ekspertët e mbrojtjes rajonale thonë se Kina i konsideron programet e saj ushtarake si forcë të rëndësishme parandaluese të influencës amerikane në pjesën perëndimore të Paqësorit.


Departamenti amerikan i Mbrojtjes thotë se Kina po përpiqet të prodhojë një raketë balistike që mund të godasë aeroplan-mbajtëset deri në një mijë e 500 kilometra larg.

Ky program u është shtuar sistemeve të tjera të Kinës për mbrojtje nga raketat, ku përfshihen një mijë raketa të drejtuara nga Taivani, të cilin Pekini e konsideron si pjesë të territorit të tij.

Përveç kësaj, Pentagoni thotë se Kina po përpiqet të prodhojë aeroplan-mbajtësen e saj të parë, çka do ta fuste Pekinin mes një grupi të vogël vendesh që janë në gjendje të tregojnë fuqin e tyre në ujërat ndërkombëtare.

Megjithëse zyrtarët kinezë nuk flasin shumë për planet e tyre të mbrojtjes, disa ekspertë të sigurisë për Azinë mendojnë se ka dy arsye për programet e raketave dhe aeroplan-mbajtëseve të Kinës.

Një nga arsyet është Taivani, i cili është qeverisur në mënyrë të pavarur që kur forcat nacionaliste u larguan në vitin 1949, pas humbjes së luftës civile në vend. Kina ka kërcënuar se do të përdorë forcën për të rimarrë Taivanin nën kontroll, nëse ky i fundit vendos të shpallë pavarësinë. Shtetet e Bashkuara thonë se do ta ndihmojnë Taivanin të mbrohet nga një sulm i mundshëm.

Vu Xinbo është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait.

Zoti Vu thotë se nëse do të kishte konflikt ushtarak në Ngushticën e Taivanit, Kinës i nevojitet një mënyrë për të mos lejuar futjen e aeroplan-mbajtëseve amerikane në atë zonë, “për të ndërhyrë tek mënyra si do ta trajtojë Kina situatën,” siç thotë ai.

Zoti Vu thotë se Kina do të ndërtojë një aeroplan-mbajtëse për të mbrojtur rrugët ndërkombëtare të transportit, të cilat Pekini i konsideron si shumë të rëndësishme për ekonominë e tij të bazuar kryesisht tek eksportet.

Deni Roi është ekspert në Qendrën Lindje-Perëndim në Havai. Ai thotë se nuk habitet që kinezët duan të ndërtojnë një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi për të mbrojtur interesat e tyre.

“Kinezët kanë pasur prej kohësh ekspertizë në prodhimin e raketave, prandaj është e natyrshme që ata të zgjedhin këtë rrugë për t’iu kundërvënë fuqisë amerikane. Është më e thjeshtë për kinezët të ndërtojnë një raketë kundër aeroplan-mbajtëseve se sa një njësi ushtarake që t’u kundërvihet atyre.”

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë vënë në pyetje nevojën e Pekinit për aeroplan-mbajtëse apo raketa të reja, meqenëse, siç thonë ata, aktualisht nuk ekzistojnë kërcënime reale ndaj për interesat e Kinës. Por zoti Vu thotë se tani arsyeja tjetër për këto programe janë paratë.

"Zoti Vu thotë se Kina nuk ka pasur mundësi të ndërtonte një aeroplan-mbajtëse më parë, por tani, zhvillimi ekonomik ia ka krijuar këtë mundësi".

Xhejms Nolt është ekspert për marrëdhëniet SHBA-Azi Lindore në Institutin e Politikave Botërore në Nju Jork. Që nga viti 2007, ai ka jetuar në Nanxhing të Kinës, ku punon si drejtor i Institutit njujorkez të Teknologjisë për kampusin e Nanxhingut.

Zoti Nolt thotë se edhe nëse Kina ndërton aeroplan-mbajtësen e saj, ajo do të jetë dekada prapa në krahasim me Shtetet e Bashkuara në fushën operacionale.

“Për të ndërtuar një aeroplan-mbajtëse efikase nevojitet teknologji e zhvilluar, trainim dhe aftësi operacionale dhe kjo do t’i marrë Kinës vite për ta arritur. Edhe po të kishin një aeroplan-mbajtëse, kjo nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe.”

Por fqinjët e Kinës, duke përfshirë vendet e Azisë Jugore që kundërshtojnë pretendimet e Kinës për disa ishuj të pabanuar në Detin e Kinës së Jugut, kanë shprehur shqetësim për këtë zhvillim ushtarak.

Zyrtarët amerikanë thonë se nuk e dinë fuqinë e vërtetë ushtarake të Kinës. Ata kanë bërë thirrje vazhdimisht për transparencë më të madhe të kapaciteteve ushtarake të Kinës dhe qëllimeve të saj.

Zoti Roi nga Qendra Lindje-Perëndim thotë se Kina mund të dojë të mbajë disa gjëra të fshehta meqenëse e sheh veten si fuqi më të dobët.

“Kina, duke e ndjerë veten inferiore ndaj Shteteve të Bashkuara, mendon se nuk është e arsyeshme që SHBA të kërkojnë transparencë më të madhe nga kinezët rreth zhvillimit të tyre ushtarak, meqenëse Pekini mendon se duhet ta fshehë dobësinë e tij nga Shtetet e Bashkuara.”

Pekini e hodhi poshtë raportin e fundit të Pentagonit dhe thotë se ai ekzagjeron, siç thonë ata “zhvillimin normal ushtarak kombëtar të Kinës.” Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë informacione rreth përparimit të bërë në ndërtimin e një rakete që mund të godasë aeroplan-mbajtëset.

Pak pas publikimit të raportit të Pentagonit, një gazetë e rëndësishme kineze, The Global Times, publikoi një koment ku bënte thirrje që Kina të ndërtonte një raketë balistike kundër anijeve dhe masa të tjera kundër aeroplan-mbajtëseve. Komenti thoshte se Kina duhet të krijonte një masë parandaluese për t’iu kundërvënë fuqisë së marinës amerikane në Oqeanin Paqësor.

Në të njëjtën kohë, Pekini e ka ngritur zërin gjithnjë e më shumë në muajt e fundit duke kërkuar që anijet amerikane të qëndrojnë larg një zone të madhe të oqeanit, që mbulon një pjesë të mirë të detit të Verdhë, Detit të Kinës Lindore dhe Kinës Jugore, ku Pekini pretendon se gëzon sovranitet.