Pavarësisht nga kryesimi i ngushtë që kanë demokratët në të dy Dhomat e Kongresit, Presidenti Joe Biden përballet me sfida në miratimin e axhendës së tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Redisch shpjegon se si rregullat e Senatit amerikan e bëjnë më të vështirë detyrën e presidentit Biden.
Kamala Harris ishte një prej 100 senatorëve amerikanë, derisa u bë nënpresidente dhe në këtë rol, ajo është edhe kryetare e Senatin.
Si e tillë, ajo mban votën përcaktuese, pasi demokratët, me dy fitoret në Xhorxhia i dhënë fund kontrollin gjashtë-vjeçar të Senatit nga republikanët
Duke patur shumicën, demokratët mund të përmbushin disa objektiva.
"Kjo do të thotë se Presidenti Biden mund të ketë një administratë, mund të emërojë sekretarë të Kabinetit të tij, mund të emërojë gjyqtarë dhe mund të miratojë ligje", thotë për Zërin e Amerikës Chris Edelson në Universitetin Amerikan.
Por sa ligje, është një pyetje pa përgjigje për shkak të rregullave të vjetra në Senatin amerikan.
Një prej tyre, është ai i taktikave bllokuese.
Është një rregull i krijuar për të lejuar një pakicë senatorësh të parandalojnë votimin për një çështje, duke vazhduar të debatojnë pa fund për të.
Rregullat e Senatit kërkojnë që tre të pestat, ose 60 senatorë, të votojnë për të përfunduar debatin.
Kjo do të thotë që 10 republikanë duhet të bien dakord me të 50 demokratët, thjesht për të lejuar votimin për të miratuar shumë nga pikat e axhendës së Presidentit Biden, e cila fillon me paketën gati dy trilionë dollarëshe për lehtësimin e krizës nga COVID-i.
“Gjatë fushatës dhe qysh nga zgjedhja e tij ai tha se beson se mund të gjejë republikanë me të cilët mund të punojë. Senatorët që priteshin të ishin më shumë të gatshëm të bënin kompromis - Susan Collins nga shteti Mein dhe Mitt Romney nga Juta, kanë filluar të thonë ... nuk mendojmë se ka ndonjë gjë të nevojshme për të bërë tani. Kemi miratuar tashmë një paketë prej 900 miliardë dollarësh. Le të presim'", shpjegon Norm Ornstein me Insitutin American Enterprise.
Por ka rregulla që e lejojnë zotin Biden dhe demokratët ta kapërcejnë këtë procedurë.
Dhe ky quhet pajtim...
Është një proces i çuditshëm që lejon anashkalimin e debatit për sa kohë që ligji që shqyrtohet, ka të bëjë me çështjet e buxhetit.
Si rritja apo ulja e taksave …
Ndryshimi i përparësive për shpenzimet qeveritare.
Miratimi i një projekt-ligji përmes procesit të ‘pajtimit’ kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë.
Por mund të bëhet vetëm një herë në çdo cikël buxheti.
Dhe do të lërë jashtë disa nga synimet kryesore të Presidentit Biden, të tilla si miratimi i një akti të ri për të drejtën e votës dhe reformën e imigracionit.
“Gjatë fushatës ai thoshte,‘ nëse zgjidhem, unë e di që ka njerëz që do të punojnë me mua’. Por njerëz nga e majta e cilësuan këtë thënie si naive dhe qesharake. Prandaj, mendoj se ai duhet të jetë i kujdesshëm. Mendoj se duhet të jetë realist”, thotë për Zërin e Amerikës Chris Edelson.
Realist për atë që mund të arrihet në një Senat të ndarë, që i ka sytë nga zgjedhjet e ardhshme.
"Duhet të kujtojmë se kur taktikat bllokuese u përdorën shpesh gjatë viteve 2009 dhe 2010, në zgjedhjet që pasuan, republikanët fituan më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve sesa kishin fituar në 100 vjet. Më pas gjatë mandatit të dytë të presidentit Obama, kur përsëri pprdorën shpesh taktika bllokuese, republikanët fituan kontrollin e Senatit. Pra, plani i tyre me këtë lojë për të penguar ka funksionuar në të kaluarën dhe ka të ngjarë që republikanët ta përdorin përsëri", thotë Norm Ornstein.
Presidenti Biden ka punuar me këto rregulla të Senatit për 36 vjet. Mënyra se si do t’i përdori ato tani do të provojë suksesin e presidencës së tij.