Roy Moore kundërshton thirrjet për t'u tërhequr nga gara për senator

  • William Ide

Në Shtetet e Bashkuara, kandidati republikan për senator Roy Moore kritikoi të mërkurën ato që ai i cilësoi si akuza të pabazuara ndaj tij, për sjellje të papërshtatshme seksuale, duke mbajtur një qëndrim mospëfillës ndaj thirrjeve të udhëheqësve të partisë së tij për të hequr dorë nga kandidimi në zgjedhjet e dhjetorit në shtetin jugor të Alabamës, që zhvillohen jashtë sezonit zgjedhor për të zëvendësuar ish-senatorin Jeff Session, i cili është tani Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

Dy gra e kanë akuzuar zotin Moore për ngacimme seksuale të padëshiruara prej tyre kur ato ishin adoleshente dhe Moore ishte në të tridhjetat. Tre gra të tjera më parë patën thënë se rreth së njëjtës periudhë, në fundin e viteve 1970, Moore u pati kërkuar të dilnin në takim, kur ato ishin vajza në shkollë të mesme dhe ai ishte prokuror lokal.

Kryetari i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan dhe dy ish-kandidatë republikanë për president, Mitt Romney dhe Senatori John McCain, kanë thënë se 70-vjeçari Moore duhet të dalë nga gara për senator.

Zoti McConnell u tha gazetarëve këtë javë se gratë që po e akuzojnë zotin Moore janë "plotësisht të besueshme" dhe se Moore "duket qartë se nuk është i denjë për të qenë senator i Shteteve të Bashkuara".

Roy Moore u përgjigj me një mesazh të shkurtër në Twitter të mërkurën në mbrëmje: "I dashur Mitch McConnell, këtu më ke!"

Presidenti Donald Trump ende nuk ka komentuar për situatën.

Moore përballet në garën për senator me kandidatin demokrat, ish-prokurorin federal Doug Jones, për të plotësuar në tre vitet e ardhshme vendin e zotit Jeff Sessions, i cili dha dorëheqjen si senator për t'iu bashkuar kabinetit të zotit Trump, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Akuzat

Roy Moore ka fajësuar median për sulmin ndaj fushatës së tij dhe ka thënë se do ngrinte padi ndaj gazetës "The Washington Post", e cila një javë më parë publikoi valën e parë të akuzave nga katër gra në intervista të regjistruara.

Të mërkurën, një grua e gjashtë e akuzoi zotin Moore se e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme, kur ajo kishte shkuar për një çështje ligjore në zyrën e tij juridike në Alabama, në vitin 1991. Ndryshe nga raste të mëparshme, që kanë të bëjnë me adoleshente, Tina Johnson ishte atëhere 28 vjeçe dhe kishte probleme në martesën e saj. Ajo kishte shkuar në zyrën juridike me të ëmën, që e kishte marrë me pagesë si jurist zotin Moore, për trajtimin e çështjes së kujdestarisë së djalit të zonjës Johnson.

Kur të dy gratë po largoheshin nga zyra e zotit Moore, Johnson tha se ai e kishte kapur me duar në të pasmet.

Në fillim të javës, Beverly Young Nelson e akuzoi zotin Moore se e kishte sulmuar një mbrëmje në fund të viteve 1970, pasi ajo kishte mbaruar punën te një restorant, në Gadsden, të shtetit Alabama ku Moore ishte klient i rregullt. Moore tha se ai nuk e njihte zonjën Nelson, por ajo tha se në vitin 1977 ai i kishte shkruar “Gëzuar Krishtlindjen” pranë fotografisë së saj në librin vjetor të shkollës.

"Nuk ka vajzë më të ëmbël dhe të bukur, që do t'i uroja "Gëzuar Krishtlindjen", me dashuri, Roy Moore D.A.," shkruhej në libër, DA është referencë për titullin Prokuror i Distriktit.

Avokati i zotit Moore, Phillip Jauregui, të mërkurën ngriti dyshime nëse pasazhi në libër ishte i zotit Moore.

Një një deklaratë, të cilën e botoi të mërkurën në mbrëmje në faqet e tij në Facebook dhe në Twitter, Roy Moore i mohoi me ngulm akuzat e zonjës Nelson dhe të një tjetër gruaje, Leigh Corfman, e cila thotë se Moore kishte filloi kontakte seksuale me të, kur ajo ishte 14 vjeçe. Zoti Moore tha se ai "nuk kishte patur takime dashurie me vajza nën moshën madhore".

Roy Moore, i cili është shkarkuar dy herë nga posti i Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shtetit të Alabamës, tha se është duke hetuar për "origjinën dhe motivin" e akuzave të ngritura ndaj tij.

"A ndodhemi në një fazë të politikës amerikane, kur akuzat e rreme mund të zhbëjnë punën që ka bërë një person për 40 vjet në interes të publikut?... Kur rrëmuja e shkaktuar nga media dhe politikanët për dëmimin e një njeriut të pafajshëm, bëhet me synimin për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve me rëndësi kombëtare?"- shkrunate zoti Moore.

Një dilemë politike

Anketat tregojnë se republikani Moore dhe demokrati Jones janë në një garë të ngushtë në shtetin me prirje konservatore të Alabamës, që votoi me shumicë dërrmuese për zotin Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Gjatë turneut të tij aziatik Trump iu shmang pyetjeve për zotin Moore. "Duhet të kthehem njëherë në vend, për të mësuar me saktësi se ç'po ndodh."- tha ai.

Trump përballet me një dilemë politike për çështjen Moore. Kandidati për senator mund të mos e marrë parasysh lutjen e presidentit për të hequr dorë nga gara, ngaqë Trump mbështeti rivalin e zotit Moore në zgjedhjet paraprake të republikanëve në shtator, Luther Strange. Por pasi Moore i fitoi zgjedhjet paraprake, Presidenti Trump e mbështeti atë.

Veç kësaj, nëse Donald Trump thotë, sikurse disa republikanë të tjerë, se ai i beson akuzat e grave ndaj zotit Moore, kritikët e zotit Trump mund të ngrenë pikëpyetje, se përse duhen besuar akuzat e këtyre grave, por jo ato të grave të 11 grave të tjera që e akuzuan zotin Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, për prekje, apo puthje të padëshiruara. Zoti Trump pati thënë atëhere se gratë gënjenin dhe u zotua se do të ngrinte padi ligjore ndja tyre, por në fakt nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Zoti McConnell dhe zyrtarë të tjerë republikanë kanë hedhur idenë e shtimit të emrit të një kandidature tjetër në fletën e votimit, me synimin për ta mundur zotin Moore. Të tjerë kanë sugjeruar që kandidati tjetër i zgjedhjeve paraprake republikane, Strange, të shtohet në fletën e votimit për ta ruajtur vendin në Senat për republikanët, ndërsa të tjerë kanë sugjeruar që zoti Sessions të japë dorëheqjen nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm dhe të përpiqet ta kthehet në Senat, ku ka shërbyer për 20 vjet.

Të tjerë ligjvënës republikanë po thonë se nëse Roy Moore i fiton zgjedhjet dhe bëhet anëtar i Senatit prej 100 vendesh, ata do të përpiqen menjëherë ta përjashtojnë atë, si të papërshtatshëm nga ana morale për t'u bërë senator i Shteteve të Bashkuara.