Një vend-takimi i njohur për shumë breza të Nju Jorkut, ora “Waldorf Astoria” kohët e fundit është riparuar me kujdes të veçantë nga Shoqata Historike e qytetit të Nju Jorkut.
"Takohemi tek ora!" Për më shumë se një shekull banorët e Nju Jorkut kanë përdorur orën “Waldorf Astoria” si një vend-takimi.
E shfaqur në sallën e hotelit Waldorf Astoria, ora legjendare tani është nën kujesin e Shoqatës Historike të Nju Jorkut, ndërsa hoteli është duke u rinovuar.
Ora ishte një dhuratë nga Mbretëresha Victoria e Anglisë dhe për herë të parë u shfaq në publik në Panairin Botëror të Çikagos në vitin 1893.
“Kishte mjaft orë që u shfaqën në atë ekspozitë dhe mendoj se teknologjia dhe mekanika e prodhimit të orëve i ka magjepsur gjithmonë njerëzit. Ato kanë qenë pika magjepsëse për shekuj me radhë!", thotë Debra Schmidt Bach nga Shoqata Historike e Nju Jorkut.
Biznesmeni John Jacob Astor e bleu orën për një shumë të pazbuluar me synimin për ta bërë atë epiqendër të hotelit të tij luksoz të ri, Waldorf-Astoria, në Rrugën e Pestë të Nju Jorkut. Kur hoteli lëvizi, bashkë me të lëvizi edhe ora e madhe.
Ora është parë nga politikanë, mbretër dhe madje është shfaqur në filma të ndryshëm, përfshirë filmin e njohur “Great Gatsby” dhe në skenën ikonike të filmit "Scent of a Woman", ku Al Pacino kërcen poshtë orës së famshme.
Dhurata e Mbretëreshës Victoria përfaqësoi çimentimin e aleancës midis Amerikës dhe Anglisë dhe kjo marrëdhënie reflektohet në panelet e orës.
“Është e qartë se qëllimi ishte të paraqiste burrat më të rëndësishëm të historisë amerikane nga periudha e Revolucionit Amerikan deri në vitin 1893. Kështu që, unë mendoj se ishte një përpjekje nga britanikët për të dhënë një shembull të burrështetasve të ndryshëm, jo të gjithë presidentë, përfshirë Benjamin Franklin-in, të cilët ishin të rëndësishëm për historinë e Shteteve të Bashkuara", thotë Debra Schmidt Bach nga Shoqata Historike e Nju Jorkut.
Nën portretet prej argjendi janë të shfaqura arritjet historike të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, si Ura e Bruklinit, që në atë kohë konsiderohej një arritje inxhinierike mbresëlënëse, e pasuar nga garat e çiklizmit.
“Shumë nga sportet e përfaqësuara në panelet e orës kanë qenë të njohura gjatë asaj periudhe. Çiklizmi, për shembull, u bë shumë i famshëm në vitet 1890. Pra, është krejtësisht logjike që ato lloj sportesh janë të përfaqësuar në panelet e orës”, thotë Debra Schmidt Bach nga Shoqata Historike e Nju Jorkut.
Në shekullin e 21 mekanizmi i orës nuk është mbresëlënës për publikun ashtu siç ishte një shekull më parë. Por roli i saj sot është i ndryshëm, pasi çdo pëllëmbë e këtij objekti madhështor arti, qoftë një frëngji prej druri e zbukuruar me ar ose një medalion i bukur argjendi, mund të jetë një interpretim historik i asaj që u pa si arritje e madhe 127 vjet më parë.