33 mijë atletë u rikthyen në rrugët e Nju Jorkut për maratonën e 50-të të qytetit. Gara u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë dhe me kthimin e saj qyteti tashmë po rigjen vetveten.
Your browser doesn’t support HTML5
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, përshkrimi më i mirë për këtë ditë do të ishte "dita e rikthimit".
"Është fantastike të jesh mes njerëzve", thotë Ramata.
Maratona e Qytetit të Nju Jorkut është rikthyer zyrtarisht pasi pandemia e koronavirusit shkaktoi anulimin e saj vitin e kaluar.
Ramata ishte një ndër 1 milionë tifozët që u shfaqën për të brohoritur 30 mijë vrapuesit nga e gjithë bota, të cilët përshkuan 42 kilometra rrugë në lagjet Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx dhe Manhatan.
"U mërzitëm shumë që nuk pati vitin e kaluar dhe prandaj jemi kaq të gëzuar që u rikthye. Ne po bëjmë tifozllëk për Kenian", thotë Ramata.
Atletët kenianë nuk i zhgënjyen duke zënë vendin e parë në garën e meshkujve dhe të femrave.
28-vjeçarja Peres Jepchirchir kaloi vijën e finishit pas 2 orë, 22 minuta dhe 39 sekonda, duke u bërë kështu atletja e parë që fiton medalje të artë olimpike dhe maratonën e qytetit të Nju Jorkut në të njëjtin vit.
"Është mrekulli. Jam shumë e lumtur", thotë ajo.
Për meshkujt, 27-vjeçari Albert Korir e kaloi finishin pas 2 orë, 8 minuta dhe 22 sekonda. Në maratonën e vitit 2019, ai kishte dalë i dyti.
"Nuk e kisha imagjinuar që do të fitoja dhe që trajnimi im do të sillte këtë rezultat", thotë ai.
Fitorja më e madhe ishte ndoshta për vetë qytetin dhe tifozët e maratonës që përjetuan rikthimin e një tradite të qytetit të Nju Jorkut të mirënjohur në mbarë botën.
"Është e mrekullueshme dhe mezi presim të vijmë për çdo vit. Qyteti i Nju Jorkut mbledh turma të mrekullueshme", thotë një spektatore e maratonës.
"Është e mrekullueshme t'i shohësh të gjithë jashtë dhe Nju Jorkun të rikthyer, apo jo?", thotë një spektator i maratonës.