Ricklimi ndihmon mjedisin; por a mund të jetë edhe fitimprurës?

Your browser doesn’t support HTML5

Kina ka qenë ndër blerësit më të mëdhenj të materialeve të ricikluara. Por kjo u ndal në vitin 2018, kur vendi ndaloi importimin e plastikave të riciklueshme dhe materialeve të tjera të mbetjeve, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që të kërkojnë një alternativë tjetër.

Tetë milionë banorët e qytetit të Nju Jorkut njihen për faktin se e mbajnë veten gjithnjë të zënë me punë. Por, numri i madh i njerëzve shoqërohet me shumë mbeturina dhe me nevojë për riciklim.

“Është një sfidë e madhe dhe në një qytet me kaq diversitet si Nju Jorku ka qenë gjithnjë sfidë”, thotë Robin Nagle, antropologe në Departamentin e Higjenës së qytetit të Nju Jorkut.

Qyteti i Nju Jorkut prodhon 12 mijë tonë mbeturina çdo ditë, dhe arrin të riciklojë vetëm 17%. Një nga arsyet më të mëdha është se tashmë që Kina nuk i importon më mbetjet, riciklimi mund të dalë shumë më i shtrenjtë.

“Nuk ka ndonjë qytet në Amerikë që po e fitonte betejën e riciklimit. Ka rezultuar në humbje të ardhurash për bashkitë në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe në të kaluarën i kanë exportuar jashtë vendit”, thotë Howard Husock, i Institutit të Manhatanit për Studimin e Politikave.

Në të kaluarën, kompanitë që riciklojnë plastikë, letër, xham dhe metal, i paguanin bashkitë për të marrë mbetjet e tyre. Rishtazi, qytetet filluan t’i paguajnë kompanitë për të marrë hedhurinat, të cilat shpesh transportohen diku larg përpara se të groposen, duke e zgjeruar kështu ndikimin e tyre tek mjedisi.

Tani, si bashkitë ashtu edhe pronarët e bizneseve kanë filluar të përshtaten.

Një objekt i ri pranë qytetit të New York-ut shpreson të tërheqë më shumë plehra.

"Kur gjërat përpunohen shumë herë dhe ka shumë mbeturina në qarkullim, bëhet më e kushtueshme për komunitetet që të riciklojnë", thotë Dominick Mazza, nënpresident i kompanisë “Mazza Recycling”.

Ndërtesa, me makineritë optike moderne që bëjnë përzgjedhjen e materialeve, inspektimin dhe grupimin sipas madhësisë, mundëson kursim në punë dhe materiale.

"Planifikojmë t’u kursejmë taksapaguesve të bashkive të Qarkut Monmouth, më shumë se 2 milion dollarë në vitin tonë të parë", thotë James Mazza, drejtor ekzekutiv i kompanisë.

Por mbetjet e ngurta komunale përbëjnë jo më shumë se 3% të prurjes së mbeturinave të vendit. Ekspertët thonë se përparimi në riciklimin e më shumë mbetjeve mjekësore, bujqësore, industriale dhe elektronike mund të kërkojë më shumë investime nga kompanitë që prodhojnë produktet.

Nëse drejtuesit e korporatave do të ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësinë për rezultatin përfundimtar të materialit që ata nxjerrin në treg, në mënyrë që marrëdhënia e tyre me tregun dhe konsumatorët të ishte më shumë një model ciklik në vend të një modeli linear, kjo do të ishte një hap me të vërtetë i madh”, thotë zonja Nagle.

"Nëse nuk i përqëndrojmë përpjekjet që ta lëmë botën siç e gjetëm apo madje edhe më të mirë, atëherë nuk po u shërbejmë fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm", thotë Dominick Mazza.

Qeveritë lokale ende po përshtaten me humbjen e Kinës si ricikluesi i preferuar i vendit, por ekspertët thonë se ata presin një rilindje të ardhshme të riciklimit në vitet në vazhdim, me politika të reja dhe përparime teknologjike që do të kthejnë më shumë mbetje në materiale të dobishme.