Rezultate premtuese nga analiza e re për diagnostikimin e kancerit

  • Zëri Amerikës

Rezultate premtuese nga analiza e re për diagnostikimin e kancerit

Beteja kundër kancerit ka shënuar hapa përpara, pasi shkencëtarët në Boston zhvilluan një analizë të re gjaku që është në gjendje të diktojë një qelizë të vetme kanceroze ndër një miliard qeliza të shëndetshme. Analiza mund t’i ndihmojë mjekët të gjejnë kurën e duhur për shumë lloje kanceri, veçanërisht të gjirit, prostatës, zorrës së trashë dhe mushkërive dhe mund të çojë në programe më të mira parandalimi.

Është ende faza fillestare, por puna ka avancuar për analizën e gjakut që mund të revolucionarizojë procesin e diagnostikimit të kancerit.

Katër qendra të mëdha për kancerin në Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vitin e ardhshëm të përdorin analizën eksperimentale. Shkencëtarët në Spitalin Qendror të Masaçusetsit, që shpikën këtë analizë, kanë bashkuar forcat me kompaninë e fuqishme farmaceutike Johnson & Johnson për të zhvilluar një teknikë të re, me shpresën për ta vënë në zbatim në masë të gjerë.

Robert McCormack i Departamentit Strategjik të kompanisë Johnson and Johnson thotë se analiza e re është një hap më i avancuar i teknologjisë CellSearch që u prezantua në vitin 2004, e cila numëron qelizat kanceroze që qarkullojnë në gjak:

“Kjo teknologji e re që do të zhvillojmë, do të realizojë numërimin e këtyre qelizave, por edhe më tepër, pasi është më e ndjeshme dhe mund të përdoret edhe për kancera të tjerë”.

Teknologjia CellSearch që përdoret aktualisht nga personeli shëndetësor identifikon praninë e qelizave kanceroze në gjak, por vetëm në aspektin e numrit të tyre, pa arritur të kapë ndonjërën për t’i ndihmuar mjekët të analizojnë karateristikat e qelizës dhe të përgatisin mjekimin e duhur.

Analiza e re që kanë shpikur mjekët në Boston është shumë më e fuqishme se teknologjia CellSearch dhe arrin të kapë qeliza kanceroze në formë të plotë. Qelizat kanceroze që qarkullojnë në gjak nënkuptojnë se kanceri është përhapur ose është në prag të përhapjes. Teknologjia që arrin t’i kapë këto qeliza dhe të mundësojë analizimin e tyre do të transformojë mjekimin e disa llojeve të kancerit.

Dr. Minetta Liu, specialiste e analizës së kancerit në Universitetin Georgetown, ku është në përdorim teknologjia CellSearch, shpreson për përparime të tjera:

“Të gjithë e kemi të qartë se mjetet që kemi në dispozicion nuk janë krejt të sakta dhe shpesh na duhet ta marrim me mend se si mund të reagojë pacienti. Të gjithë shpresojmë të kemi së shpejti teknologji më të përparuara për të identifikuar mjekime më të përshtatshme për pacientin, si për shembull kur duhet të ndalim trajtimin, apo nëse duhet të tregohemi më agresivë në terapinë mjekësore? Prandaj një analizë e tillë që përdor një sasi të vogël të gjakut të pacientit, do të ishte një arritje e madhe”.

Analiza e re premton të identifikojë mjekimin e përshtatshëm për problemin specifik të pacientit, duke eliminuar mundësinë e provave me mjekime të ndryshme që mund të mos japin rezultat. Futja e analizës së re në përdorim të gjerë është ende larg, por provat e para në spitalin e përgjithshëm të Masaçusetsit kanë dhënë rezultate premtuese.