Rezerva ujore të pamjaftueshme sjellin probleme për industrinë e energjisë

  • Zulima Palacio

Rezerva ujore të pamjaftueshme sjellin probleme për industrinë e energjisë

Shkencëtarë, klimatologë dhe ekspertë të energjisë kanë të njëjtin shqetësim: mungesa e ujit të mjaftueshëm për prodhimin e energjisë, veçanërisht në zonat që po përjetojnë thatësi. Prodhimi i enegjisë, qoftë me anë të biokarbureve apo duke përdorur burimet energjetike të ripërtëritshme, kërkon sasi të mëdha uji dhe disa prodhues të energjisë në Shtetet e Bashkuara po përballen me vështirësi.

Pothuajse të gjitha format e prodhimit të energjisë kërkojnë sasi të mëdha uji. Qymyri, prej të cilit prodhohet pothuajse 50 për qind e energjisë elektrike të Shteteve të Bashkuara, ka nevojë për ujë në miniera, për transportim si dhe për ftohjen dhe lubrifikimin e pajisjeve.

Uji përdoret gjithashtu për ftohjen e tubacioneve të impianteve bërthamore dhe për prodhimin e avullit për turbinat. Industrisë së biokarbureve i nevojitet ujë për vaditje, fermentim si dhe për prodhimin e etanolit e të biokarbureve të tjera.

Alexander Ochs, drejtor për klimën dhe energjinë në Institutin Worldwatch, thotë se bëhet fjalë për sasi shumë të mëdha uji. Ai thotë:

“Për çdo megavat orë energji të prodhuar, qymyri përdor nga 1,9 deri në 3,8 metra kubë ujë. Nëse marrim parasysh të gjitha impiantet në Shtetet e Bashkuara, përfshirë impiantet me avull, vetëm gjatë vitit 2008 u përdorën nga 230 milionë deri në 640 milionë metra kubë ujë.”

Pa ujë, shumica e llojeve të energjisë nuk do të mund të prodhohej. Edhe energjitë e ripërtëritshme, si ajo gjeotermike dhe diellore, përdorin ujë për ftohjen e pajisjeve dhe për të pastruar sistemet mbledhëse.

Këto nevoja kanë detyruar Kaliforninë, Masaçusetsin dhe disa shtete qendrore të ndërpresin funksionimin e disa impianteve energjetike.

David Brown drejton programe për Administratën Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës. Kjo agjenci grumbullon të dhëna mbi klimën. Zoti Brown thotë se thatësira në jugperëndim të vendit, më e rënda në një shekull, po nxit ndryshime në industrinë e energjisë. Ai thotë:

“Kompanitë energjitike po detyrohen të jenë më efikase në përdorimin e ujit, qoftë gjatë prodhimit të energjisë elektrike prej qymyrit, apo edhe në nxjerrjen e rezervave natyrore. Këto kompani po kuptojnë gjithashtu se rezervat e ujit janë duke u pakësuar dhe do të vazhdojnë të pakësohen me vazhdimin e ngrohjen së klimës.”

Zoti Brown thotë se sistemet ujore në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë të hasin probleme në rritje gjatë dekadës së ardhshme.

Bujqësia është përdoruesja kryesore e ujit në Shtetet e Bashkuara dhe menjëherë pas saj renditet prodhimi i energjisë.

Ekspertët thonë se konkurrenca në përdorimin e rezervave ujore, për shkak të rritjes së popullsisë dhe prej bujqësisë e industrisë së energjetikës, do të kërkojë marrje të vendimeve të vështira, si nga qeveritë lokale ashtu edhe nga ato kombëtare.