Republikanët kryesorë mbështesin Presidentin Trump në sfidën ndaj fitores së zotit Biden

Senate Majority Leader Mitch McConnell, R-Ky., speaks to reporters following a closed-door meeting where the Republican Conference held leadership elections, on Capitol Hill in Washington, Nov. 10, 2020.

Udhëheqësit kryesorë republikanë në Uashington po mbështesin Presidentin Donald Trump në luftën e tij të vështirë ligjore, ku ai pretendon për mashtrim mjaft të përhapur në numërimin e votave, me synimin për të përmbysur fitoren e zgjedhjeve presidenciale, të parashikuar nga rrjetet e mëdha mediatike, të demokratit Joe Biden.

Ndërkohë, vetëm pak ligjvënës aktualë republikanë dhe një listë më e gjerë ish-zyrtarësh republikanë po e pranojnë fitoren e zotit Biden në zgjedhjet kombëtare të javës së kaluar.

Dy ligjvënësit kryesorë republikanë, udhëheqësi i Shumicës së Senatit Mitch McConnell dhe udhëheqësi i Pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kanë thënë se Presidenti Trump nuk duhet t’i pranojë zgjedhjet tani që ekipi i tij ka ngritur padi për parregullsi të votimit dhe numërimit të votave.

I pyetur në Departamentin e Shtetit të martën nëse do të bashkëpunonte me ekipin e Presidentit të zgjedhur Biden për tranzicionin, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve: "Do të ketë një tranzicion të qetë në një administratë të dytë Trump".

Richard Boucher, diplomat në pension i cili ka qenë zëdhënës i Departamentit të Shtetit prej një kohe të gjatë, tha se komenti i zotit Pompeo për një administratë të dytë Trump mund të merret si shaka, por shërben gjithashtu për ta mbrojtur atë nga kritikat e Shtëpisë së Bardhë.

Demokrati Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se Departamenti i Shtetit duhet të fillojë qysh tani përgatitjet për tranzicionin e zotit Biden. "Sekretari Pompeo nuk duhet të mbajë ison e sulmeve të pabazuara dhe të rrezikshme ndaj legjitimitetit të zgjedhjeve,” tha ai.

Në udhëtimin e tij të parë zyrtar pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, zoti Pompeo do të shkojë në Francë, Turqi, Gjeorgji, Izrael, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite midis datave 13 dhe 23 nëntor. Udhëheqësit e disa prej këtyre vendeve e kanë uruar zotin Bajden për zgjedhjet.

Deri tani, megjithatë, Presidenti Trump ka humbur pesë proceset e para gjyqësore. Më shumë se dhjetë të tjera ende nuk janë shqyrtuar nga gjyqtarët. Analistët politikë amerikanë thonë se edhe nëse zoti Trump arrin sukses në disa prej padive të mbetura që sfidojnë totalin e votave në një numër shtetesh, ndryshimet në numër nuk do të ishin të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden.

Përpjekja e suksesshme e zotit Biden për t'u zgjedhur presidenti i 46-të i vendit u bë e qartë më 7 nëntor, kur rezultati në shtetin lindor të Pensilvanisë u kthye në favor të tij, duke i dhënë atij më shumë se 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, i cili vendos rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA në vend të votës popullore në shkallë vendi.

Por Presidenti Trump as nuk e ka pranuar humbjen dhe as nuk e ka thirrur zotin Biden për të diskutuar mbi zgjedhjet.

Në vend të kësaj, udhëheqësi amerikan, tashmë presidenti i tretë në katër dekadat e fundit që humbet fushatën për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë, ka postuar një varg pretendimesh në Twitter ku bën fjalë për mashtrime zgjedhore.

"KUJDES ABUZIMIN MASIV ME NUMËRIMIN E VOTAVE DHE, ASHTU SI EDHE ME VAKSINËN QË DO TË DILTE HERËT, MOS HARRONI ÇFARË U KISHA THËNË,” shkruante Presidenti Trump me gërma të mëdha në Twitter të martën në mëngjes.

“JEMI DUKE BËRË PROGRES TË MADH, REZULTATET FILLOJNË TË VIJNË JAVËN TJETËR. TA BËJMË AMERIKËN PËRSËRI MADHËSHTORE!” shkruante ai në një tjetër koment në Twitter.

Senatori republikan Mitt Romney nga Utah, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 ndaj ish Presidentit Barack Obama dhe një grup ligjvënësish të tjerë republikanë e kanë uruar zotin Biden, por shumica ose kanë inkurajuar sfidat ligjore të Presidentit Trump ose kanë heshtur për fitoren e zotit Biden.

"Ne kemi sistemin për të shqyrtuar shqetësimet dhe Presidenti Trump është 100% brenda të drejtave të tij për të hetuar akuzat për parregullsi dhe për të peshuar opsionet e tij ligjore", tha të hënën udhëheqësi republikan i senatit McConnell, duke shtuar se procesi do të ecë përpara dhe "do të arrijë në përfundimet e tij".

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy i tha televizionit Fox News të Dielën: "Kemi pasur garën presidenciale më të fortë në historinë moderne. Kjo është arsyeja pse çdo votë duhet të numërohet, çdo rinumërim të shkojë përpara, dhe çdo sfidë të dëgjohet."

Një tjetër mbështetës i Presidentit Trump, senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, tha, "Këto janë zgjedhje të kontestuara. Media nuk vendos kush bëhet president, nëse do të ishte ashtu, nuk do të kishte patur ndonjëherë president republikan."

"Mos pranoni, Z. President, luftoni fort," tha zoti Graham për Fox News.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr autorizoi 92 prokurorë federalë në të gjithë vendin për të ndjekur akuza të besueshme për shkelje, megjithëse deri tani nuk ka patur akuza të tilla që të mund të ndryshonin rezultatin.

Rreth 12 prokurorë të përgjithshëm republikanë në shtete të ndryshme kanë thënë se mbështesin një padi ligjore që është në pritje në Gjykatën e Lartë amerikane lidhur me ato fletëvotime me postë në Pensilvani të cilat arritën në qendrat e votimit pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor. Por numri i vogël i votave për të cilat bëhet fjalë nuk do të mjaftonte për të ndryshuar rezultatin në këtë shtet.

Në Xhorxhia, epërsia e zotit Biden me 12,293 vota ndaj Presidentit Trump është mjaft e vpgël që të justifikojë një rinumërim. Megjithatë, Sekretari republikan i shtetit, Brad Raffensperger, zyrtari më i lartë zgjedhor në Xhorxhia, tha se nuk kishte gjasa që kjo të ndryshonte rezultatin.

Disa ish-zyrtarë republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të pranojë realitetin e humbjes.

Një grup prej 31 ish-anëtarësh republikanë të Kongresit - shumë prej tyre kritikë të zëshëm të presidentit - denoncuan pretendimet e zotit Trump për mashtrim në një letër të hapur ku i bëhej atij thirrje të pranonte humbjen.

Katër ish shefat e Sigurisë së Brendshme, republikanët Tom Ridge dhe Michael Chertoff dhe demokratët Janet Napolitano dhe Jeh Johnson, thanë se pretendimet ligjore të zotit Trump nuk duhet të vonojnë tranzicionin e zotit Biden në pushtet, që do të zyrtarizohet kur ai të inaugurohet si president më 20 Janar, me përjashtim të rastit nëse rezultati përmbyset në favor të zotit Trump.

"Sipas të gjitha rrëfimeve të besueshme, zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve kanë qenë të zellshëm në kryerjen e një numërimi të drejtë, ligjor dhe të saktë, qark më qark, shtet më shtet," thanë katër ish-sekretarët e Sigurisë së Vendit në një letër të hapur. "Presidenti Trump ka të drejtën e një procesi të paanshëm dhe të drejtën për të paraqitur sfida ligjore si dhe për të kërkuar rinumërim në shtete të caktuara, por pretendimet e tij ligjore nuk mund dhe nuk duhet të pengojnë fillimin e procesit të tranzicionit.”

Zoti Biden nuk i ka përfillur pretendimet e Presidentit Trump për mashtrim të votave dhe ka filluar planifikimin për ditëtt e para të administratës së tij, veçanërisht për çështjen se si të frenohet pandemia e koronavirusit që ka vrarë më shumë se 238,000 amerikanë, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Ndërsa shpallte fitoren të shtunën në mbrëmje, ai tha, "është koha të hedhim tej retorikën e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe të dëgjojmë përsëri njëri-tjetrin."