Organizata “Gazetarët pa kufij” u ka bërë thirrje sot autoriteteve vendase e ndërkombëtare në Kosovë që të mos lejojnë kërcënimin e gazetarëve. Komentet e kësaj organizate u bënë në kuadër të një reagimi ndaj, siç thuhet, mënyrës së trajtimit të gazetares së agjencisë së lajmeve "Kosovapress", Sebahate Shala, e cila u largua nga puna pas përplasjeve me agjencinë rreth një pyetjeje që ajo kishte shtruar në një konferencë shtypi. "Gazetarët pa kufij" kritikuan agjencinë për mungesë solidariteti me gazetaren e tyre, ndërsa drejtuesit e kësaj agjencie thonë se gazetarja është larguar vetë nga puna dhe pa ndonjë trysni.