Spitalet e Kalifornisë po luftojnë për të gjetur shtretër për pacientët mes shqetësimeve se shpërthimi i ri i rasteve të koronavirusit do të shterojë burimet njerëzore për frenimin e pandemisë.
Që nga e shtuna, gati 17,400 njerëz u shtruan në spital me infeksione të konfirmuara ose të dyshuara të COVID-19 - më shumë se dyfishi i pikut të mëparshëm të arritur në korrik.
Një parashikim i autoriteteve për prirjen e shtrimeve në spital tregon se numri mund të arrijë në 75,000 nga mesi i janarit.
Më shumë se 3,600 pacientë të konfirmuar ose të dyshuar me COVID-19 ishin në njësitë e kujdesit intensiv. E gjithë Kalifornia e Jugut dhe rajoni San Joaquin Valley në veri të saj i kanë shteruar kapacitetet e kujdesit intensiv, madje disa spitale kanë filluar të përdorin hapësirën rezervë, ose hapësirë e konvertuar për kujdes intensiv.
Shtimi i madh i rasteve në gjashtë javët e fundit ka rritur numrin e të vdekurve në Kaliforni. Të Shtunën u raportua për 272 viktima të tjera. Gjatë javës së shkuar pati gjithsej rreth 1,600 të vdekur.
Në Qarkun e Los Anxhelosit të goditur rëndë, Drejtoresha e Shëndetit Publik Barbara Ferrer iu lut njerëzve që të qëndronin në shtëpi sa më shumë që të ishte e mundur, të mos përziheshin me të tjerët jashtë shtëpisë së tyre dhe të mbanin maskë dhe distancim shoqëror kur ishin pranë të tjerëve.
"Vendet ku mblidhen njerëz nga familje të ndryshme dhe ku ata nuk ndjekin udhëzimet e sigurisë, kontribuojnë në përhapjen e panevojshme të COVID-19 që rezulton në shtrime në spital dhe vdekje që mund të ishin shmangur", tha ajo.
Zyrtarët shëndetësorë të Qarkut Los Anxheles njoftuan të shtunën se ata i kishin modifikuar urdhërat e tyre shëndetësorë në përputhje me vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë, ku kërkohet që vendet e adhurimit të lejohen të kenë shërbime jashtë dhe brenda, me masat e duhura të sigurisë shëndetësore.
Të shtunën në mbrëmje, kompania Apple njoftoi se do të mbyllë përkohësisht të 53 dyqanet e saj në Kaliforni për shkak të koronavirusit. Me urdhrin e qëndrimit në shtëpi për gati të gjithë shtetin, dyqanet me pakicë shërbejnë në kapacitetin 20%.
Ndërsa bizneset përpiqen t’ia dalin gjatë një sezoni shumë të ngarkuar blerjesh për festat, shumë spitale po përgatiten për mundësinë e racionimit të kujdesit shëndetësor. Një dokument i qarkulluar së fundmi midis mjekëve në katër spitalet e Qarkut Los Anxheles, bën thirrje që ata të ndryshojnë strategji: Në vend që të provojnë gjithçka për të shpëtuar jetën e një personi, të përpiqen të shpëtojnë sa më shumë pacientë. Kjo do të thotë se ata që kanë më pak të ngjarë të mbijetojnë nuk do të marrin të njëjtin lloj kujdesi që ofrohet në kohë normale.
"Disa kompromise në standardin e kujdesit janë të pashmangshme,” thuhet në dokument.
Shumë spitale kanë zbatuar procedura të emergjencës për të përdorur stafin dhe hapësirën në mënyrë sa më racionale.
Disa spitale kanë anuluar operacione jo të rëndësishme që mund të kërkojnë shtretër, për t’i kursyer këta shtretër që së shpejti mund të jenë të nevojshëm për pacientët me COVID-19.
Të tjerët janë duke shtuar orët e punës së stafit mjeksor ose po lëvizinpacientët për të liruar hapësirë.