20 Qershori shënon Ditën Botërore të Refugjatëve themeluar nga Kombet e Bashkuara. Shqipëria përballon jo vetëm prurje refugjatësh nga vendet e treta që hyjnë kryesisht nga kufiri me Greqinë, por edhe një valë migrimi të shqiptarëve drejt vendeve perëndimore.
Ndërsa refugjatët e huaj nuk qëndrojnë në Shqipëri por e përdorin vendin si një pikë tranzit të kalimit drejt vendeve perëndimore, qindra shtetas shqiptarë riatdhesohen cdo muaj nga policitë e disa vendeve europiane për shkak të emigrimit jo të rregullt.
Shqipëria ka përmirësuar kohët e fundit legjislacionin për të huajt dhe shtuar kapacitetet pritëse. Drafti i rishikimit të Ligjit për Azilin pritet t'i dërgohet Parlamentit ndërsa disa institucione si UNHCR, Avokati i Popullit por së fundi edhe Misioni i Policisë Europiane Frontex po monitorojnë statusin e trajtimit të refugjatëve që hyjnë nga kufiri greko shqiptar. N
dërkohë një Raport i sapopublikuar i Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR pohon se viti 2018 u mbyll me një bilanc tronditës të trendit global të refugjatëve.
Sipas Raportit të paktën 70.8 milionë njërëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, niveli më i lartë i regjistruar në botë në këto 70 vitet e fundit. Raporti flet edhe për një numër të lartë viktimash në radhët e refugjatëve që kanë synuar të kalojne Detin Mesdhe gjatë 2018.
Sipas Raportit rreth 2275 persona vdiqën ose u zhdukën ndërsa kalonin Mesdheun një shifër kjo gati dyfish më e lartë se viti 2017.