Reforma në drejtësi në Shqipëri, thuajse 4 vjet nga miratimi vazhdon të prodhojë debate. Konsensusi politik që shoqëroi miratimin nuk vijoi me miratimin e ligjeve që rridhnin prej ndryshimeve kushtetuese, apo dhe me zbatimin e tyre. Analistët dhe ekspertët mendojnë se kjo reformë ka ecur ngadalë dhe nuk ka prodhuar atë që qytetarët prisnin prej saj. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë filluar ta artikulojnë këtë shqetësim, madje kanë aluduar edhe për një marrëveshje që e minon atë. Por eskpertët janë të matur kur thonë, se për të parë ndarjen e ndikimit politik nga institucionet e reja të drejtësisë, do duhet të kalojë një kohë e gjatë.
Reforma në Drejtësi që u miratua me konsensus të plotë politik, duke marrë 140 votat e kuvendit të Shqipërisë afro 4 vjet më parë, si dhe me mbështetje të gjerë të faktorit ndërkombëtar, nuk ka arritur ende të prodhojë rezultatet, që u skicuan në atë kohë në letër. Kjo ka shkaktuar një valë të re debati në rradhët e politikës por dhe nervozizëm në qarqet diplomatike nëse veçojmë deklaratën e ambsadores merikane, që u bëri thirrje palëve të ecin para duke aluduar edhe për një marrvëshje mes tyre, që minon reformën në drejtësi. Politologu Afrim Krasniqi thotë se etapat kushtetuese për zbatimin e reformës nuk u zbatuan dhe se sot duhej të ishte kryer 70% e reformës kur në fakt është kryer 20-25%.
“Gjykata kushtetuese nuk ështe e plotë dhe funksionale, Gjykata e Lartë ka vetëm 3 nga 19 anëtarë. Strukturat e KLGJ dhe KLP janë funksionale, por nuk kanë arritur të tregojnë lidership në udhëheqjen e sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit. Struktuart e tjera nuk janë të plota. Inspektoriati i lartë i Drejtësisë nuk ka ende të miratuar strukturën nga Kuvendi i Shqipërisë. Për sa kohë nuk janë krijuar strukturat, qytetarët nuk kanë arritur të marrin asnjë nga frutet e Reformës në Drejtësi”, shprehet Afrim Krasniqi, politolog.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit që monitoron reformën në drejtësi, mendon se kritikat për vonesat në ngritjen e institucioneve të reja të drjetësisë, shkojnë për faktorin politik, duke risjellë atë që pritej të shmangte kjo reformë, konfliktin e institucioneve për emërimet e reja në drejtësi.
“Ngritja e këtyre institucioneve u bë në një mjedis të polarizuar dhe palët nuk kanë shfaqur vullnet dhe dialog konstruktiv për të zhbllokuar dhe problmatika që u shfaqën edhe nga zbatimi i reformës në sistemin e drejtësisë”, tha Erida Skëndaj, Kryetare ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Sot kemi një debat të hapur mes presidentit të republikës dhe parlamentit, i zotëruar nga shumica qeverisëse, në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Analistët megjithatë janë të prirur të lexojnë përtej teknikaliteteve.
“ Po të shikojmë të gjithë ngërçin juridik në dukje teknik, po në thelb politik mes presidencës dhe parlamentit, nuk është thjesht një rradhë që sipas kushtetutës të parin e propozon presidenti, të dytin e propozon parlamenti, për vakancat në Gjykatën kushtetuese bëhet fjalë, dhe të tretin e propozon Gjykata e Lartë e cila në vetvete nuk ka kuorum, por këtu në thelb është luftë politike, se kush do ketë përfaqësuesit e vet dhe se kush do ndikojë në vendimet e gjykatës kushtetuese, për fatet politike”, shprehet Ilir Kalemaj, Zv.Rektor i Universitetit “Neë York Tirana”
Në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk ka kuorum për të marrë vendime përfundimtare prej dy vitesh, presin të shqyrtohen 69 dosje, një numër relativisht i ulët krahasuar me mbi 35 mijë që presin në Gjykatën e lartë, por përtej numrit ekspertët shohin problematikën që bartin ligjet e ankimuara në këtë gjykatë.
“Në Gjykatën Kushtetuese nuk është problem tek numri i dosjeve se sa tek ligje shumë të debatuara që janë ankimuar në këtë gjykatë, si paketa antishpifje, paketa anti KÇK, ndryshimet e fundit që u bënë në kodin penal në kushtet e pandemisë, ligji i teatrit etj. Në këtë gjykatë u vonua shqyrtimi i këtyre ligjeve tepër të debatuara, për shkak të vakancave, dhe në këtë kuptim mungoi një mjet juridik efektiv i kontrollit të kushtetuetshmërisë së këtyre projektligjeve”, shprehet Erida Skëndaj, Kryetare ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ekspertët vërejnë se për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë u bënë pengesë dhe kriteret e forta në përzgjedhjen e kandidatëve, vonesat në ngritjen e infrastrukturës, plotësimin e personelit apo miratimin e buxhetit për këto institucione, apo dhe një elemenet krejt i paparashikuar, ai i zbrazjes se sistemit të drejtësisë në një shkallë të lartë nga Vettingu dhe dorëheqjet. Politologu Afrim Krasniqi ka një sugjerim edhe për faktorin ndërkombëtar si mbështetësi kryesor i reformës në drejtësi.
“ Këtë reformë nuk e kanë bërë shqiptarët, e kanë bërë ndërkombëtarët, e kanë bërë SHBA dhe BE. Ndërkombëtarët kanë bërë një eksperiment në Shqipëri dhe si çdo eksperiment pritej që të kishte problematika, por siç duket autorët e reformës nuk kanë parashikuar të gjitha pasojat, dhe kjo nxjerr në pah nevojën e madhe, që ndërkombëtarët të rishikojnë investimin e tyre ndaj reformës në drejtësi dhe sjellen e tyre ndaj kësaj reforme, për të qenë më konkret, më investues, më të vendosur, më asistues dhe më transparent në raport me qytetarët”, shprehet Afrim Krasniqi, politolog.
E përtej kësaj analistët mendojnë se reforma të tilla tsë mëdha janë pasuar me problematika kudo ku janë zbatuar.
“Reforma të tilla në ato pak vende ku janë konceptuar, nga Kenia në Afrikë deri në rastin e Rumanisë apo Kroacisë në Europë, apo Maqedonisë së Veriut, kanë prodhuar probleme. Ne sot flasim për një kryeprokurore shumë të suksesshme në Rumani, që BE e zgjodhi si prokurore speciale kundër korrupsionit dhe vendi i saj nuk e mbeshtet, sepse ajo çoi peshq të mëdhenj pas hekurave. Ne , flasim për dështim të reformës në Maqedonine e Veriut, i njëjti problem me prokuroren e përgjithshme e kapur në akt korruptiv. Flasim për Poloninë vend në BE, që sot është gati të pezullohet nga BE pikërisht për shkak të ndikimit politik në gjykata”, thotë Ilir Kalemaj, Zv.Rektor i Universitetit “New York Tirana”.
Politologët mendojnë se 4 vite janë mjaftueshëm për të bërë bilance dhe nxjerrë mësime nga zbatimi i reformës në drejtësi.
“Nuk është tabu të flasësh për reformën. Nëse gjërat kanë shkuar le ta themi me zë të lartë që kanë shkuar keq dhe ta përmirësojmë. Ideja për ta konsideruar mit. Ideja për të folur vetëm mirë dhe për të refuzuar çdo zë kundër është kthyer në boomerang, sepse dhe gjëra të cilat kanë ndodhur në strukturat e vendimarrjes në KPK, (strukturë e Vetting), kanë lënë shije të hidhur, dhe kanë lënë të kuptohet që kemi të bëjmë me dy standarde dhe koha po i provon”, thotë Afrim Krasniqi, politolog.
Sot sipas asaj që është parashikuar në letër 4 vjet më parë qytetarët duhej të ishin duke marrë produktet e para të reformës në drejtësi, por ajo nuk arriti t’i shpëtojë polarizimit politik e megjithatë ekspertët janë të matur kur thonë se përsa i takon ndarjes së politikës nga institucionet e reja reforma në drejtësi ka nevojë të testohet në një kohë të gjatë.