Realiteti i ri i jetës në qytetin e Nju Jorkut

Në qytetin e Nju Jorkut, banorët po ndryshojnë rutinën e tyre të përditshme në mënyrë që t’i përshtaten realitetit të ri. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva ishte në Wall Street dhe vizitoi studion e një stilisteje të modës për të parë se si ka ndryshuar stili i jetës dhe zakonet që nga muaji mars.

Konsultimet për veshjet bëhen përmes internetit ndërsa stilistja Martina Dietrich ndihmon klientët e saj që të krijojnë një garderobë pas karantinës.

“Kemi nevojë për veshjet e sipërme, sepse të gjithë jemi para kompjuterave ndërsa i bëjmë mbledhjet me Zoom”, thotë ajo.

Pandemia ka ndryshuar stilin e jetesës në të gjithë vendin. Edhe moda ka ndryshuar, ku veshjet për zyrën janë zëvendësuar me veshje më joformale. Në një kohë komunikimi dixhital, vëmendja përqendrohet vetëm tek veshja e sipërme që duket gjatë konferencave me video, thotë stilistja Dietrich.

“Kjo xhaketë mund të vishet në të dy anët. Pra me të çarën e xhaketës në cilën anë të duash. Gjithmonë bëj gjëra që mund të përdoren në mënyra të ndryshme”, thotë ajo.

Qyteti i Nju Jorkut po provon mënyra të ndryshme për t’u përshtatur në këtë kohë pandemie në të gjitha sferat e jetës. Madje edhe gjërat e rutinës së përditshme duhet të ndryshojnë dhe përshtaten. Elaine është studente. Ajo flet për eksperiencën e saj:

“Më duhet të marr mësime përmes internetit tani dhe nuk i kuptoj ato tërësisht. Është ndryshe kur je në klasë dhe ndryshe nga shtëpia.”

Dan i tha Zërit të Amerikës se është i papunë:

“Kam 35 vite që jetoj këtu dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë. Të gjitha kursimet kanë shterruar dhe nuk kam më para.”

Louise është pensioniste.

“E gjithë jeta ka ndryshuar. Nuk mund të bëj më gjërat që bëja më parë. Nuk mund të komunikoj më me familjen dhe të tjerët. Thjesht po jetoj ditë pas dite”, thotë ajo.

Metroja vazhdon të jetë gjysmë e zbrazët, ndërsa njerëzit preferojnë të ecin. Ata që shkojnë në punë ndihen më të sigurtë në makinat e tyre. Me shumë biznese të mbyllura, deri në janar mbi 600 mijë vende pune mund të zhduken.

Dyqanet që shesin rroba për të shkuar në punë po deklarojnë falimentimin një nga një. Mes tyre emrat e njohur Brooks Brothers, Ann Taylor, Neiman Marcus, Loft dhe Lord & Taylor.

Michael Potter po kërkon një zyrë të re. Kompania e tij Monarch Capital ka patur zyrat në këtë kompleks që nga viti 2000. Pandemia ka goditur rëndë sektorin e investimeve dhe bizneset nuk mund të vazhdojnë të funksionojnë si më parë.

“Nuk ke nevojë për shumë punonjës si më parë. Nëse punon nga shtëpia e kupton se shumicën e gjërave i bën vetë. Pra nuk ke nevojë për personelin mbështetës administrativ ose operacional”, thotë ai.

Shumë njerëz shpresojnë që shtatori të sjellë një farë lloj normaliteti. Autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë njoftuar tashmë për hapjen e shkollave, çka do të thotë se shumë prindër mund të rikthehen në punë.

Por shumë nga ato zyra mund të mos jenë më aq të mbushura me punonjës sa ishin para pandemisë.