Përvecse ishte pjesë e takimit të djeshëm në Bruksel të Këshillit të Stabilizim Asocimit Shqipëri-Bashkimi europian, cështja e zgjedhjeve në Shqipëri e vecanërisht situata e krijuar në garën për Tiranën, ishte pjesë edhe e një deklarate të përbashkët të përfaqësueses së lartë të Bashkimit europian Catherine Ashton dhe komisionerit për zgjerimin Stefan Fyle.
Ata shprehën shqetësimin për “kundërshtitë dhe polarizimin rreth vendimit të Komisionit qëndror të zgjedhjeve dhe Kolegjit zgjedhor, përfshirë vendimin e fundit dhe arsyetimin e këtij kolegji”, duke vlerësuar se “zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira dhe kjo dëshmoi qartazi nevojën e reformës së kuadrit ligjor që lidhet me zgjedhjet”.
Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle bën thirrje që palët të përfshihen në realizimin e një reforme zgjedhore e që forcat politike të tejkalojnë ngercin politik dhe ti kthehen dialogut , “gjë e cila do të mundësonte funksionimin e duhur të institucioneve kyce vecanërisht të parlamentit”, nënvizonte deklarata. Dy zyrtarët e lartë europian bën thirrje palëve të angazhohen në realizimin e 12 prioriteve të përcaktuara nga Komisioni europian duke nënvizuar se “për të bërë progres drejt integrimit europian është jetike dhe urgjente të kryhen reforma elektorale dhe kushtetuese, reforma mbi rregullat dhe procedurat parlamentare si dhe reforma të tjera kyce”.
Sot kryetari socialist Edi Rama ju drejtua me një letër Baroneshës Ashton dhe komisionerit Fyle. Sipas zotit Rama “Zgjedhjet e 8 majit e përkeqësuen situatën politke dhe nxorrën në pah mosfunksionimin e administratës zgjedhore dhe të vetë Shtetit të së Drejtës, si dhe rrezikuan shumë seriozisht një shans tjetër për vendin në rrugën e demokratizimit dhe integrimit europian”, shkruan kryetari socialist. Duke nënvizuar se ndan pikë për pikë gjithshka sa thuhej në deklaratën e dy zyratarëve të lartë europian, zoti Rama shprehet se “e vërteta e hidhur e këtij procesi pa standarte ku fitorja e opozitës u grabit ditën për diell dhe administrata zgjedhore, Komisioni Qëndror dhe Kolegji zgjedhor manifestuan brutalisht mungesën e Rendit ligjor, duhet trajtuar – sipas tij - pa ekuivok, jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, por – thekson zoti Rama - për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe për të ndërtuar qasjen e duhur për të ardhmen”
Kryetari socialist mbështetë idenë e përfshirjes së Komisionit të Venecias si dhe shprehet se opozita “do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e integrimit europian me vetdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush – shkruan zoti Rama – lidhur me reformat thelbësore që i duhen vendit në aspektin Kushtetues, Zgjedhor e Institucional, përfshirë dhe një reformë të thelë parlamentare”, nënvizon ai.
Po sot edhe kryetari i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm lituan Audronius Azubalis i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës që të rinisin urgjentisht dialogun , të kapërcejnë polarizimin dhe mosbesimin e thellë e t’i japin fund ngërcit politik. “Në pritje të raportit përfundimtar të ODIHR-it për Zgjedhjet – shprehet kryetari i radhës i Osbe-së - nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vendsjen e dialogut politik, një hap i parë i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe në mënyrë të vecantë të parlamentit”. Përfaqësuesi i lartë i Osbe-së shprehet se ky institucion është i gatshëm që “të mbështesë palët në Shqipëri që të bien dakort për një axhendë më të gjerë të reformave, përfshirë atë zgjedhore”, shkruhet në deklaratë.
Nga ana e saj shumica qeverisëse në Shqipëri i ka bërë ftesë opozitës që të nisin menjëherë punën për reformën zgjedhore. E djathta gjithashtu mbështet përfshirjen e Komisionit të Venecias si dhe eskeprtizën e ODIHR-it, ndërkohë që nuk e ka parë me vend një ndërhyrje për ndryshime kushtetuese.