Protesta në mbrojtje të lumenjve Radika dhe Vjosa

Your browser doesn’t support HTML5

Në Tiranë u zhvillua përsëri sot një tubim proteste kundër projekteve për devijimin e lumenjve Vjosa dhe Radika nga ndërtimet hidrike në Greqi dhe Maqedoni. Protestuesit theksuan se kjo do të jetë një humbje e madhe për ekonominë e vendit dhe i kërkuan qeverisë shqiptare që të kundërshtojë këto projekte të qeverive fqinje.

Your browser doesn’t support HTML5

Protestë në Tiranë për mbrojtjen e lumenjve Radika dhe Vjosë


Një grup qytetarësh të Tiranës dhe veprimtarësh të shoqërisë civile organizuan përsëri sot një tubim proteste kundër devijimit të lumenjve Radika dhe Vjosa nga ndërtimet në shtetet maqedonase dhe greke. Në Tiranë është krijuar edhe një aleancë qytetare kundër devijimit të këtyre lumenjve. Të gjithë së bashku i kërkuan qeverisë së Shqipërisë që të kundërshtojë projektet e vendeve fqinje për të devijuar nga territori shqiptar lumenjtë Radika dhe Vjosa.

Folësit theksuan se devijimi i lumit Radika do të dëmtojë rëndë natyrën dhe bujqësinë e disa zonave në veri të vendit, dhe do të pakësojë prurjet në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Protestuesit pohuan se po aq i rrezikuar sa lumi Radika në Dibër është edhe lumi Vjosa në Greqi, të cilin nuk e përmend askush.

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë u angazhuan këtë javë me deklarata publike lidhur me ekzistencën e një projekti ndërtimor që propozon devijimin e lumit Radika. Kryeministri Rama në parlament dhe pesë ministra shqiptarë e maqedonas në konferencë të përbashkët deklaruan se nuk ekziston një projekt i tillë dhe se ata do të mbrojnë interesat e shqiptarëve për çështjen e ujërave.