Përplasja Bezos - National Inquirer, në fokus të medias

Botuesi i “National Enquirer” tha të premten se do të shqyrtojë pretendimet për shantazh të bëra nga shefi ekzekutiv i kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos. Ky i fundit ka akuzuar tabloidin se e ka kërcënuar se do të publikojë foto intime të tij, nëse ai nuk i jep fund hetimeve se si tabloidi ka arritur të sigurojë mesazhet private mes tij dhe të dashurës së tij.

Kompania “American Media Inc.” (AMI) që ka në pronësi tabloidin, tha se ka vepruar “në mënyrë të ligjshme'' lidhur me këtë çështje.

Deklarata e kompanisë është zhvillimi më i fundit në një përplasje të profilit të lartë mes njeriut më të pasur të botës dhe drejtuesit të tabloidit më të njohur të Amerikës, i cili është një mbështetës i fortë i Presidentit Donald Trump. Hetuesit e zotit Bezos kanë thënë se mbulimi që “National Enquirer” i ka bërë marrëdhënies së tij, e cila përfshinte publikimin e mesazheve telefonike imtime, ishte nxitur nga një “politikë e pisët”.

Zoti Bezos, i cili është gjithashtu pronar i gazetës “The Washington Post”, publikoi komunikimet e tij me kompaninë “American Media Inc.”, në një postim në internet të enjten në blog-un e tij “Medium.com”. Miliarderi nuk tha se tabloidi i kishte kërkuar para, por tha se “National Enquirer” i kishte kërkuar që ai të bënte një deklaratë publike ku të thuhej se mbulimi që tabloidi i kishte bërë marrëdhënies së tij intime, nuk ishte i motivuar politikisht.

Kompania ka pranuar në të kaluarën se ajo është angazhuar në ato që njihet si praktika "catch-and-kill", “kap dhe vrit” (një teknikë e përdorur nga disa gazeta për të parandaluar informacione që dëmtojnë dikë të bëhen publike, për të mbrojtur aleatët e gazetës), me qëllimin për të ndihmuar zotin Trump të bëhet president. Zoti Trump ka qenë shumë kritik ndaj zotit Bezos dhe mbulimit që “Washington Post” i ka bërë Shtëpisë së Bardhë.

"Sigurisht që nuk dua që fotot personale të publikohen, por gjithashtu nuk do të bëhem pjesë e praktikës së tyre të njohur të shantazhit, favoreve e sulmeve politike si dhe korrupsionit”, tha zoti Bezos.

Çështja Bezos u bë publike kur “National Enquirer” publikoi një artikull më 9 janar mbi marrëdhënien e tij me Lauren Sanchez, një ish-spikere televizive e cila gjithashtu është e martuar. Zoti Bezos punësoi më pas një ekip investiguesish privatë për të zbuluar se si tabloidi arriti t’i sigurojë mesazhet dhe fotot që të dy ata kishin shkëmbyer me njëri-tjetrin.

Hetuesit personalë të zotit Bezos, të drejtuar nga konsulenti i tij i sigurisë Gavin de Becker, dolën në përfundimin se telefoni i zotit Bezos nuk ishte hakeruar. Por ata janë përqëndruar tek vëllai i zonjës Sanchez, sipas një personi që ka dijeni mbi çështjen.

Zoti De Becker dhe ekipi i tij dyshojnë se Michael Sanchez, një menaxher talentesh, që shpreh hapur mbështetjen ndaj zotit Trump dhe i njohur me aleatët e zotit Trump, si Roger Stone e Carter Page, mund t'i kenë dhënë informacion tabloidit National Enquirer, tha i njëjti person në kushte anonimiteti.

Zoti Sanchez, i cili është gjithashtu menaxher i motrës së tij, nuk ka pranuar të flasë për agjencinë “The Associated Press” dhe nuk i ka dhënë përgjigje ende një emaili të dërguar prej saj të enjten. Në një postim në Twitter ai tha se zoti De Becker ka “përhapur teori konspirative, të rreme dhe mesazhe të koduara të pista”.

Sipas zotit Bezos disa ditë më parë, një person brenda kompanisë “American Media Inc.” i tha ekipit të zotit Bezos se shefi ekzekutiv i kompanisë David Pecker, ishte "i indinjuar" lidhur me hetimin. Më pas kompania i kishte bërë përfaqësuesve të zotit Bezos një ofertë.

“Ata thanë se kanë edhe më shumë mesazhe e foto që do t’i publikojnë nëse unë nuk e ndal hetimin,''- shkruante zoti Bezos.