Përpjekjet ligjore të Presidentit Donald Trump për të zhbërë fitoren e projektuar të demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u zbehën të premten ndërsa gjykatat refuzuan akuzat për parregullsi në votim dhe për mashtrim.
Një gjykatës në Miçigan refuzoi një kërkesë të mbështetësve të Partisë Republikane për të parandaluar çertifikimin e rezultatit zgjedhor në zonën përgjithësisht demokrate të Detroidit, duke ulur kështu edhe shanset për një padi tjetër të ngjashme të paraqitur nga ekipi elektoral i Presidentit Trump.
Në Pensilvani, një tjetër gjykatës refuzoi disa padi të ekipit elektoral të Presidentit Trump për vlefshmërinë e disa mijëra votave të ardhura me postë. Ndërkohë në Arizona, ekipi elektoral i Presidentit Trump tërhoqi padinë për rezultatin zgjedhor duke pranuar kështu se avantazhi i zotit Biden ishte shumë i madh për t'u tejkaluar.
Këto tre shtete janë ndër gjashtë shtetet ku Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij kanë paraqitur padi gjyqësore për rezultatet ndërsa projeksionet tregonin se zoti Biden kishte fituar bindshëm zgjedhjet, duke siguruar mjaftueshëm mbi 270 votat e Kolegjit Elektoral që nevojiten për të pretenduar fitoren.
Sfidat ligjore
Presidenti Trump, i cili ende nuk e ka pranuar fitoren e zotit Biden, është angazhuar në një betejë padish të dyshimta ligjore dhe pretendime të pabazuara në mediat sociale, në një përpjekje të sforcuar për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Të marra së bashku, zhvillimet e fundit nuk shkojnë në favor të shanseve të Presidentit Trump për të fituar zgjedhjet nëpërmjet pretendimeve të pabazuara për manipulime në masë, thonë ekspertët.
"Mendoj se këto padi mund të kuptohen më mirë si mënyrat me të cilat presidenti po komunikon me bazën e tij, se ai kundërshton rezultatin e zgjedhjeve dhe se vazhdon përpjekjen për të luftuar për përmbysjen e rezultateve", thotë Louis Caldera, profesor i asociuar i jurisprudencës në Kolegjin Juridik të Uashingtonit në Universitetin Amerikan.
Ai shtoi se kjo nuk ishte "një përpjekje serioze për të ndryshuar në të vërtetë rezultatin e votimit në një numër të mjaftueshëm shtetesh që të ishin në gjendje të grumbullonin votat e Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e nevojshme që ai të fitonte zgjedhjet".
Procesi gjyqësor i Miçiganit, i paraqitur të dielën nga një grup konservator, kërkoi që të skualifikoheshin qindra mijëra fletëvotime në Qarkun Wayne për shkak të mashtrimit të pretenduar dhe parregullsive të votimit. Sipas rezultateve jozyrtare, gati 73% e 565'484 votave në Qarkun Wayne shkuan për zotin Biden. Paditësit i kërkuan gjykatësit të urdhërojë një kontroll të pavarur dhe një palë zgjedhje krejtësisht të reja.
Por Kryetari i Gjykatës i distriktit të 3-të në Qarkun Wayne, Timothy Kenny, vendosi se pretendimet për "veprimtari të mbrapshta manipulimi që ndodhin haptazi…si dhe nën petkun e errësirës" u kundërshtuan nga vëzhgues të tjerë dhe zyrtarët e tjerë zgjedhorë, ndër ta edhe një ish-zyrtar "shumë i respektuar" i zgjedhjeve.
Ndalimi i procesit të çertifikimit tani do të përbënte "një ushtrim të paparë të aktivizmit gjyqësor", shkruajti zoti Kenny në vendimin e tij, ndërsa kryerja e një kontrolli të pavarur do të vononte përpilimin e votave dhe "minonte besimin në sistemin zgjedhor".
Vota elektorale
Ndërsa sfidat ligjore të Presidentit Trump janë duke u lëkundur, një numër aktivistësh konsevatorë të afërt me presidentin kanë hedhur idenë se legjislaturat shtetërore të kontrolluara nga republikanët mund të refuzojnë votën popullore dhe të japin votën e Kolegjit Elektoral për Presidentin Trump.
Ideja u theksua edhe më shumë javën e kaluar pasi gazetari i rrjetit “Fox News” Mark Levin u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që, “bëhuni gati dhe bëjeni detyrën tuaj kushtetuese”, ndërsa u kujtoi atyre se Artikulli II i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara u jep atyre “fjalën e fundit” për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Elektoral.
Kur amerikanët hedhin votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, ata nuk po votojnë për vetë kandidatët, por më tepër për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.
Neni II i Kushtetutës u jep legjislaturave të shteteve fuqinë për të përcaktuar “mënyrën” e emërimit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, organi që zgjedh presidentin. Pra, janë 538 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor që zgjedhin presidentin, që korrespondon me numrin e anëtarëve të Kongresit.
Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor mblidhen me 14 dhjetor për të votuar për fituesin e votës popullore në shtetin e tyre. Duke supozuar se ata respektojnë vullnetin e votuesve në shtetet e tyre përkatëse, zoti Biden ka siguruar 290 vota elektorale, 20 më shumë se minimumi i kërkuar për të fituar presidencën, sipas shifrave të Zërit të Amerikës. Presidenti Trump ka fituar 232.
I pyetur në kanalin televiziv “Fox News” më 6 nëntor lidhur me perspektivën e ligjvënësve republikanë në Pensilvani për të zgjedhur anëtarë të Kolegjit Elektoral që mbështesin zotin Trump, Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i Presidentit Trump dhe kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, tha “mendoj se gjithçka duhet të jetë në tryezë.”
Ndërsa nuk e përjashtojnë si mundësi, ekspertët ligjorë thonë se gjasat që legjislaturat shtetërore të kërkojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve mbeten të vogla.
Kjo për faktin se Kushtetuta nuk përcakton që anëtarët e Kolegjit Elektoral duhet të zgjidhen në bazë të votës popullore. Prej mbi një shekulli, të 50 shtetet amerikane kanë zgjedhur anëtarët e Kolegjit Elektoral përmes zgjedhjeve popullore.
Veprimi legjislativ
Për t’i dhënë votat elektorale zotit Trump, legjislaturat në shtetet fushëbetejë, me mbështetjen e guvernatorëve, duhet të ndryshojnë ligjet për emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
“Thjeshtë të thuash se do të emërojmë republikanë si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, pa ndryshuar ligjin e atij shteti, do të nënkuptonte veprime në shkelje të ligjit të atij shteti”, thotë profesori i ligjeve Louis Caldera. “Nga ana tjetër, demokratët do të thonin se veprimi i ndërmarrë nga legjislatura shkel ligjin e shtetit, dhe ata do të kërkonin që gjykata të shqyrtojë këto veprime.”
Nga gjashtë shtetet ku republikanët kanë sfiduar votimet, tre prej tyre, Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsin, kanë legjislatura të kontrolluara nga republikanët dhe guvernatorë demokratë.
Ekspertë të tjerë ligjorë thonë se çdo ndryshim në metodën e emërimit do të duhej bërë përpara dhe jo pas zgjedhjeve.
“Legjislatura ka gjithmonë të drejtën për të bërë ndryshime për herën tjetër, por nuk mundet, të paktën pa shkelur klauzolën e procesit të rregullt të Kushtetutës – të zhbëjë emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që është bërë tashmë,” shkruan në një hulumtim mbi ligjet Edward Foley, ekspert për ligjin zgjedhor dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos.