Për Naiska Cheung, një rrugë e gjatë dhe e vështirë drejt diplomës universitare

Universiteti Yale

Për Naiska Cheung Martinez, diplomimi si ndihmës mjeke nga Universiteti Yale është si të arritur arritur majën e Everestit. Nuk është thjesht fakti që mori diplomë, por triumfi në një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Historia e saj nuk i ngjan përvojës së përgjithshme të bashkëmoshatarëve të saj. Në materialin në vazhdim mësojmë mbi peripecitë dhe pengesat që i është dashur të kapërcejë për të arritur këtë ditë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Bronwyn Benito njofton.

Your browser doesn’t support HTML5

Për Naiska Cheung, një rrugë e gjatë dhe e vështirë drejt diplomës universitare


Naiska Cheung Martinez thotë se ende nuk e beson që arriti të futet në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit Yale.

“Mendoj se për mua ishte disi ndryshe kur fillova studimet për ndihmës mjeke. Shumë nga studentët e tjerë kishin dyshime për rezultatin, më vjen mirë që ia dola me sukses,” tregon Naiska.

Ato që kishte ndeshur në jetë ishin shumë më të vështira se studimet për Naiskën që në moshën 16-vjeçare u bë nënë.

Me një të kaluar të vështirë dhe një fëmijë nën përkujdesje, shoqet morën rolin mbështetës të familjes.

Për dikë që nuk ka mbështetjen e atyre që e sollën në jetë, të njerëzve që duhet të të mbështesin gjatë gjithë kohës… të tjerët në vend të saj do të ishin dorëzuar,” thotë shoqja e Naiskës, Maria Maropoulo.

Në moshën 17 vjeçare, nënë me fëmijë të vogël, Naiska bëri provimet e pranimit dhe u regjistrua në kolegjin e komunës. Por gjërat u vështirësuan kur nëna e saj u vendos në Porto Riko. Naiska me vajzën nuk kishin ku të rrinin. Fillimisht jetoi në shtëpitë e shoqeve, pastaj në një hotel të lirë.

Kushtonte shumë, u detyrova të jetoj në makinë, bashkë me vajzën,” tregon Naiska.

Ajo kishte tre punë, kujdesej për vajzën me ndihmën e shoqeve dhe mbante gjallë ëndrrën për të mbaruar studimet.

M’u deshën pesë vjet të marr një diplomë si teknike për radiografi që zakonisht merret për 2-3 vjet. Isha shumë e gëzuar, por doja më shumë,” thotë Naiska.

Ndërkohë që bënte tre punë, ajo rifilloi studimet fillimisht online, më pas në klasë. Shoqet i kishte krah.

Shkonte në shkollë, punonte,” thotë Maria Maropoulo.

"Kur mami nuk gjente njeri që ta paguante për të më mbajtur, për mua kujdeseshin prindërit e Marias,” tregon vajza e saj Yenaila.

Gjatë verës punonte nga 11 e natës në shtatë të mëngjesit në një punë, pastaj fillonte punën tjetër në mëngjes,” tregon Maria.

Nuk mendoj se e kuptonin sa mirënjohëse ishte mami. Ata e ndihmuan më shumë se ç’e mendojnë,” tregon Yenaila.

Në 2016 ajo mori diplomën me nota të shkëlqyeshme dhe u përgatit për fakultetin e mjekësisë.

Pastaj ndodhi mrekullia, s’kam si ta them tjetër. U pranova në Universitetin Yale në atë program ku më parë nuk isha pranuar,” tregon Naiska.

Programi për ndihmës mjeke në Universitetin Yale që zgjat dy vjet e gjysmë, ishte në Nju Hejvën në Konektikat. Kjo nënkuptonte që Naiska nuk do të jetonte pranë shoqeve.

Kishim jetuar në Masaçusets gjithë kohën, por nuk ke si të mos shkosh kur të pranon Universiteti Yale,” thotë Yelaila.

Bursa që fitoi Naiska kërkonte që pas diplomimit të shërbente për dy vjet e gjysmë në një klinikë publike në komunitet.

"Gjithmonë kam dashur të punoj në kujdesin primar, në komunitete më në nevojë. Doja të specializohesha në këtë aspekt. I pranova menjëherë kushtet e bursës, pasi në fakt atë doja të bëja,” thotë Naiska.

Në Universitetin Yale, Naiska që ishte rritur duke folur spanjisht në shtëpi, filloi aktivizmin për komunitetin hispanik dhe grupe të tjera në nevojë.

Gjatë diplomimit në dhjetor, ajo u nderua për rolin udhëheqës që kishte treguar.

Mendoj se aftësia që ka Naiska për të përballuar sfidat në nivelin personal e ka bërë shumë të zonjën dhe të aftë të kuptojë vështirësitë e të tjerëve,” thotë Rosanna Gonzales-Colaso, profesore në Universitetin Yale.

Pandemia ka sjellë vështirësi të reja në klinikën ku punon Naiska.

Vështirësitë e kanë vënë në sprovë këtë diplomante të re, që të përshtasë njohuritë nga shkolla në realitetin e klinikës.

Ajo e tejkalon atë që i kërkohet. Në këtë kohë kjo na duhet nga personeli mjekësor, sepse tani të gjithë ne po mësojmë të reagojmë në një situatë që na ka gjetur të papërgatitur,” thotë zonja Gonzales-Colaso.

Naiska thotë se është gati për sfida të reja, tani që më në fund ka marrë diplomën e ëndërruar.

Ndjehem shumë e çliruar. Nuk e kisha kuptuar që ishte kaq në tension. Më duket sikur po marr përsëri frymë,” thotë Naiska Cheung Martinez.