Putin nënshkruan ligjin për aneksim të Krimesë

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot ligjin për aneksimin e Krimesë, duke e quajtur atë një "ngjarje të shënuar. "

Ceremonia e nënshkrimit në Kremlin u zhvillua pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, votoi njëzëri për të përfshirë rajonin e Krimesë në Rusi. Dhoma e ulët e ratifikoi traktatin të enjten, vetëm katër ditë pasi banorët e Krimesë votuan në një referendum për t’u shkëputur nga Ukraina dhe për t’u bashkuar me Rusinë .

Presidenti Putin dhe udhëheqësit e Krimesë nënshkruan traktatin të martën. Kremlini tha se traktati hyri në fuqi në datën e nënshkrimit.

Në një takim sot me këshillin e tij të sigurisë, zoti Putin tha se tani për tani, Rusia nuk do të verë në zbatim sanksionet kundër Shteteve të Bashkuara në hakmarrje ndaj sanksionet amerikane kundër Rusisë mbi krizën në Ukrainë.

Megjithatë, zëdhënësi i tij, Dmitri Peskov, u tha gazetarëve se Rusia do të përgjigjet sanksioneve të fundit të Shteteve të Bashkuara , të cilat kanë si objektiv zyrtarët rusë dhe anëtarë të rrethit të ngushtë të presidentit Putin ." Ne do të përgjigjemi gjithmonë, " tha zoti Peskov .

Ndërkohë ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë sot se Rusia do të " përgjigjet ashpër " ndaj raundit të fundit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara .