Në Bjellorusi, të paktën 100,000 protestues dolën të dielën në rrugët e Minskut, në njërën nga demonstratat më të mëdha kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko, pas zgjedhjeve të 9 gushtit, për të cilat rivalët e tij thonë se ishin të manipuluara.
Ndërsa zemërimi i publikut vazhdon të rritet ndaj zotit Lukashenko, i cili sundon në këtë vend ish-sovjetik prej 26 vjetësh, Moska i ka ofruar atij mbështetje, duke thënë se do të dërgojë në Bjellorusi trupa parashutiste për stërvitje të përbashkëta me emrin "Vëllazëria Sllave".
Një valë protestash ka përfshirë Bjellorusinë që prej zgjedhjeve presidenciale, që demonstruesit thonë se u fituan nga Sviatlana Tsikhanouskaya. Që nga ajo kohë, figurat kryesore të opozitës ose janë burgosur, ose janë larguar nga vendi. Zonja Tsikhanouskaya ndodhet në Lituani.
Zoti Lukashenko mohon që zgjedhjet të jenë manipuluar dhe ka thënë se pas protestave qëndrojnë fuqitë e huaja.
Një kolonë e madhe njerëzish marshoi të dielën nëpër kryeqytetin Minsk drejt ndërtesave qeveritare, duke brohoritur "Rroftë Bjellorusia" dhe "Ti je një mi", parrullë e përdorur shpesh kundër zotit Lukashenko gjatë demonstratave.
Ata ndaleshin dhe thërrisnin "fashistë" ndërsa qindra policë me mburoja kishin bllokuar rrugën. Ndërkohë në qytetin Brest, policia përdori makinat e ujit kundër protestuesve, sipas kanalit Nexta Live.
Policia tha se kishte arrestuar rreth 250 persona në Minsk.
Atmosfera ishte e tensionuar, me një prani të madhe policie në disa pjesë të kryeqytetit, ku disa zona të qendrës ishin izoluar me tela me gjemba.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax njofton se pati të shtëna në ajër për të paralajmëruar protestuesit në një zonë të Minskut ku jeton udhëheqja bjelloruse.
Një zyrtar i ministrisë së brendshme mohoi të kishte patur të shtëna.
Trupa parashutiste ruse
Trazirat vijnë ndërkohë që zoti Lukashenko, i cili është në pushtet që nga viti 1994, përgatitet të shkojë në Rusi të hënën për bisedime me Presidentin Vladimir Putin.
Moska, një fqinjë dhe aleate tradicionale, e ka rritur mbështetjen, duke ofruar një ristrukturim të mundshëm të borxhit bjellorus dhe likuiditet bankar. Ajo ka thënë gjithashtu se mund të vërë në dispozicion trupa të policisë ruse kundër trazirave nëse është e nevojshme.
Të dielën, ministria e mbrojtjes e Rusisë tha se do të dërgonte në Bjellorusi parashutistë nga divizioni i saj elitar Pskov për stërvitjet e përbashkëta që fillojnë të hënën dhe që do të zgjasin deri më 25 shtator, sipas një njoftimi të agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.