Protesta në veriun e Kosovës – KFOR: Situata e qetë por shumë e tensionuar

Protesta në veriun e Kosovës – KFOR: Situata e qetë por shumë e tensionuar

Grupe nxënësish të komunitetit serb, protestuan sot në veriun e Kosovës kundër siç u tha, vendosjes së forcave shqiptare në atë zonë dhe kërkesave për mënjanimin e strukturave të mbështetura nga Beogradi. Përfaqësuesit lokal të serbëve në veriun e Kosovës janë shprehur të pakënaqur me vendimin e Serbisë për të njohur vulat doganore të Kosovës. Autoritetet serbe thanë se marrëveshja me asgjë nuk e paragjykon statusin e Kosovës, por opozita në Serbi dhe përfaqësuesit lokal në veriun e Kosovës thanë se me të, përfundimisht është përcaktuar kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë. Protestuesit thanë se nuk duan kufij ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke kundërshtuar përpjekjet e Prishtinës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Një operacion i policisë së Kosovës në fund të muajit korrik në kuadër të këtyre përpjekjeve u pasua me trazira të dhunshme.

Policia tha se protesta e sotme kaloi pa incidente, ndërsa situata në veri është e qetë. Të tillë por me tensione e vlerësoi situatën në veri edhe komandanti i forcave paqeruajtëse gjenerali Gjerman Erhard Buhler.

Në një konferencë me gazetarë tri ditë para largimit të tij nga Kosova, ai tha se trupat e tij po e mbajnë situatën nën kontroll, por kjo nënkupton, siç tha ai gatishmëri për shkak të strukturave radikale në veri.

“Ka ende tensione të larta. Situata është e brishtë dhe mundësitë e dhunës janë ende të larta. Strukturat kriminale e radikale vazhdojnë të ndikojnë mbi qytetarët në veri, të cilët po ndjehen gjithnjë e më të lodhur për të ndjekur radikalët dhe kriminelët dhe janë lodhur duke qenë të keqpërdorur për interesa të posaçme të udhëheqësve të tyre”, tha gjenerali Buhler.

“E gjithë kjo ka të bëjë më pushtetin dhe paratë. Ata nuk dëshirojnë të humbin fuqinë dhe pozicionin që kanë dhe dëshirojnë që të mbetet kjo situatë ku strukturat radikale dhe kriminale të tyre mund të funksionojnë”, tha gjenerali Buhler, sipas të cilit zgjidhjen e problemeve në veri, duhet kërkuar përmes bisedimeve. Ai tha se Serbia mund të luajë një rol të madh në këtë çështje, meqë është në interesin e saj që kriminelët të kapen. Komandanti Buhler tha se qeveria serbe nuk është duke i përkrahur veprimtaritë kriminale të strukturave të organizuara të cilat janë edhe të armatosura. Ai tha se forcat serbe të sigurisë janë duke parandaluar kontrabandën në pjesën e tyre të kufirit dhe në këtë mënyrë po ndihmojnë mënjanimin e strukturave kriminale.

Gjenerali Buhler tha se NATO-ja nuk është duke planifikuar shkurtimin e mëtejmë të trupave të KFOR-it, pas zhvillimeve të fundit në veri. Planet e mëhershme do të varen nga vlerësimet për situatën e sigurisë në terren, duke nënvizuar se një shkurtim i mundshëm mund të ndodhë në gjysmën e parë të vitit 2012.

Trupat e NATO-s, po mbajnë nën kontroll vendkalimet kufitare më Serbinë të cilat i shpalli zona të kufizuara ushtarake pas zhvillimeve të fundit në atë zonë. Një situatë e tillë do të zgjasë deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore.