Mijëra protestues në Uashington dhe në qytete të tjera në mbarë Shtetet e Bashkuara u mblodhën dje për të protestuar kundër politikës së administratës Trump për ndarjen e familjeve në kufirin amerikan. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jill Craig, tubimi më i madh u mbajt përpara Shtëpisë së Bardhë.
Me parrullën “Familjet nuk duhet të ndahen”, protestuesit në qytetet amerikane kërkuan që administrata Trump t’i japë fund politikës së saj për “zero tolerancë” në kufi, sipas së cilës autoritetet amerikane mund të ngrejnë akuza penale për emigrantët që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.
“Ne jemi dhe kemi qenë gjithnjë vendi i emigrantëve. Të mendosh që tani papritur emigracioni del si një gjë e keqe...; më trondit fakti që e paraqesin si argument”, thotë Bruce Johnson, protestues i ardhur nga shteti Ohio.
Politika, e cila filloi të zbatohet në muajin prill, veçoi nga prindërit mbi 2500 fëmijë. Pasi shkaktoi zemërim tek publiku amerikan, Presidenti Trump u tërhoq prej politikës për ndarjen e familjeve më datë 20 qershor. Një gjykatë federale urdhëroi zyrtarët të mos mbajnë më në paraburgim prindërit e veçuar nga fëmijët e tyre, si dhe vendosi afate për ribashkimin e familjeve të ndara.
Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions pati deklaruar se “një krizë ka shpërthyer në kufirin tonë jugperëndimor, për të cilën është e domosdoshme të shtohen përpjekjet për të ndjekur penalisht ata që kalojnë ilegalisht kufirin tonë”. Sarah Huckabee Sanders, Sekretarja e Shtypit e Presidentit Trump, tha muajin e kaluar se administrata ka premtuar gjithnjë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e kufijve.
Disa protestues u bënë thirrje politikanëve dhe zyrtarëve të përmendin publikisht se paraardhësit e tyre kanë emigruar në SHBA.
“Mendoj se duhet të rihedhin vështrimin tek e kaluara e tyre, tek emigrantët që erdhën këtu, mbi shpatullat e të cilëve ata qëndrojnë tashmë. Ndoshta u ndryshon pikëpamja nga një reflektim i tillë”, thotë Linda Marks Katz, protestuese e ardhur nga Nju Jorku.
Në Nju Jork, protestuesit marshuan përgjatë urës së Bruklinit. Njerëzit u mblodhën edhe në Los Anxheles, Hjuston, Çikago, dhe qytete të tjera në mbarë vendin.
“Shpresoj që të tërheqim vëmendjen e tyre, dhe nëse nuk ua ndryshojmë mendjen, të paktën ta kenë parasysh që njerëzit kanë bindje të fortë për këtë temë dhe ndoshta duhet të rishikojnë pikëpamjet e tyre”, thotë Peyton Elizabeth Sanders, protestuese e ardhur nga shteti Konektikat.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, 2047 fëmijë vazhdojnë të jenë të veçuar nga prindërit e tyre. Autoritetet njoftuan se mbi 500 fëmijë janë ribashkuar tashmë me prindërit e tyre.
Zyrtarët e administratës Trump kanë thënë vazhdimisht se dinë saktësisht ku ndodhen të gjithë fëmijët e veçuar, por kjo është vënë në dyshim prej avokatëve dhe aktivistëve.