Në Tiranë, shoqëria civile protestoi sot para parlamentit për forcimin e dënimeve kundër dhunës seksuale. Dy ditë më parë, përdhunuesi i një të miture 14 vjeçare në Pogradec u dënua me vetëm 4.8 vite burg. Protestuesit thanë se ky është një dënim minimal dhe kërkuan apelimin e tij. Sipas të dhënave zyrtare, gjykatat arrijnë të japin dënime vetëm për gjysmën e rasteve të dhunës seksuale. Një pjesë e tyre janë dënime minimale, pohojnë protestuesit.
Your browser doesn’t support HTML5
10 organizata të shoqërisë civile protestuan sot në Tiranë para parlamentit, duke kërkuar mbrojtjen dhe kujdesin ndaj një vajze të mitur dhe shtatzanë në Pogradec, pasi përdhunuesi i saj mori një dënim minimal nga gjykata për krimin e tij.
Protestuesit nga Rrjeti Kombëtar “Vepro për Fëmijët” pohuan se përdhunuesi 54 vjeçar mori dy ditë më parë nga Gjykata e Korçës një “dënim të lehtë dhe të pabazuar në ligj”, sipas tyre, pas përdhunimit të një të miture 14 vjeçare në Pogradecit, duke shkaktuar edhe shtatëzaninë e saj.
Ata pohuan se prokuroria dhe gjykata bënë gabime thelbësore në gjykimin e çështjes, gabime, që i vuan një vazjë e mitur, familja dhe komuniteti.
Por nga ana tjetër dhunuesi u dënua me 4.8 vite burg, një masë më e ulët nga sa kërkon Kodi Penal.
Rrjeti Kombëtar “Vepro për Fëmijët” protestoi para parlamentit duke kërkuar mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale.
Veprimtarët e shoqërisë civile kanë 3 vjet që i kërkojnë parlamentit ndryshime në Kodi Penal për dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të miturve.
Por ende ligjvënësit nuk i kanë miratuar këto ndryshime, duke lënë fëmijët pa mbrojtje dhe duke favorizuar dhunuesit e tyre.
Ata dorëzuan përsëri në parlament një kërkesë për mbrojtjen nga dhuna seksuale të fëmijëve në gjithë vendin.
Statistikat tregojnë se përdhunimi i të miturave është një krim i toleruar në Shqipëri, sepse gjykatat arrijnë të japin dënime vetëm për gjysmën e rasteve të dhunës seksuale.