Afganistani kishte një mjedis mediatik plot gjallëri kur talebanët morën kontrollin e vendit në muajin gusht. Në mesin e shumë stacioneve të ndryshme ishte edhe një kanal televiziv që drejtohej nga një grua. Ky stacion aktualisht po shkatërrohet si rezutat i kërcënimeve nga talebanët dhe kërcënimeve për censurë. Por kjo grua, forca shtytëse në ngritjen e këtij kanali televiziv, po refuzon të heqë dorë nga ëndrrat e saj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ayesha Tanzem bisedoi me të në Kabul. Në vazhdim, historia e saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Zahrah Nabi po mbledh ato çka i kanë mbetur nga puna që ka bërë gjithë jetën e saj. Kërcënimet dhe censura nga talebanët po e detyrojnë të mbyllë projektin e ëndrrave të saj, një stacion televiziv i drejtuar vetëm nga gratë, Baano-TV, në Kabul.
Një ekip grash, i të gjitha fushave të transmetimit që nga teknika e deri tek regjisura, drejtuan kanalin për afro katër vite. Zonja Nabi kujton përçmimin me të cilin u përball kur i lindi ideja për kanalin televiziv në vitin 2016. Për shkak të besimeve fetare dhe traditave në Afganistan, shumë njerëz mendojnë se gratë nuk mund të funksionojnë pa burrat në shoqëri.
“Njerëzit talleshin, duke ngritur pikëpyetje për gratë. Gratë nuk janë të forta për të bërë gjëra të tilla apo për të drejtuar një stacion televiziv. Ideja për një stacion televiziv është një gjë shumë e madhe. Nuk është njëlloj si një grua që vendos të drejtojë një makinë apo diçka tjetër”, tregon për Zërin e Amerikës pronarja Nabi lidhur me reagimet ndaj planeve të saj për të hapur një stacion televiziv me punonjëse gra.
Por ajo dëshmoi se kundërshtarët ishin gabim. Brenda gjashtë muajsh nga fillimi i punës në vitin 2017, falë planeve të saj të mençura për të siguruar para, stacioni nisi të korrte sukses financiar.
Por në skenë u shfaqën talebanët. Madje para se të merrnin kontrollin e vendit në gusht, zonja Nabi merrte kërcënime në telefon mbi përmbajtjen e programeve të stacionit të saj, kryesisht për serialet romantike.
“Para se të merrnin kontrollin e kryeqytetit, ata telefononin duke kundërshtuar serialet. Pyesnin, kush po ju paguan, kush po ju mbështet? Ku i keni marrë fondet?”, thotë pronarja Nabi.
Pas kthimit të talebanëve ajo u përpoq ta vazhdonte misionin, por puna e saj u censurua, kryesisht në çështje si protesta e grave për të drejtat e tyre.
“Ditën e protestës shkova atje... postova vetëm disa foto në rrjetet sociale, por më pas më telefonuan dhe më thanë, ‘nuk të lejohet t’i vendosësh këto gjëra’”, tregon për Zërin e Amerikës zonja Nabi.
Një ditë, kur dikush e ngacmoi jashtë banesës së saj dhe ajo u ankua tek zyrtarët taleban të sigurisë, zonja Nabi tha se ata refuzuan ta ndihmonin duke i kërkuar të sillte një të afërm mashkull për t'u ankuar në emër të saj.
Ekipi i saj prej 50 punonjësesh është larguar nga vendi nga frika e talebanëve. Stacioni i saj televiziv është mbyllur. Ajo nuk ka të ardhura. Por ajo thotë se asgjë nuk ka arritur t’i thyejë shpirtin. “E armatosur” me një kamera e kompjuter, zonja Nabi planifikon të vazhdojë luftën për lirinë e fjalës, pavarësisht rreziqeve.
Edhe pse është e detyruar të fikë sinjalin e stacionit, zonja Nabi nuk po heq dorë nga ëndrra e saj. Ajo planifikon të paguajë nga xhepi qiranë për të paktën gjashtë muaj të tjerë, me shpresën për ta hapur sërish stacionin televiziv.