Pritet të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë

Ngày 7 tháng 12: Cảnh sát chống bạo loạn bắt giữ một người biểu tình trong một cuộc tụ tập tại trung tâm St. Petersburg. (AP/Dmitry Lovetsky)

Për më se dy orë, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë diskutuar të martën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Bisedimet e filluara mbrëmë, që do të vazhdojnë edhe sot, janë të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës tre vjet më parë, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura në zyrën e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian, diplomatit britanik Robert Cooper, zyrtar i lartë në kabinetin e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian. Në takim ishte edhe Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman.

Në takimin e parë është biseduar për regjistrat civil dhe dokumentet kadastral, ndërsa sot pritet të diskutohen edhe çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA e cila gjatë këtij viti do të drejtohet nga Kosova.

Delegacionin e Prishtinës e kryeson zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kurse atë serb, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviç. Të dy zyrtarët thanë se do t’i qasen procesit të bisedimeve në mënyrë konstruktive në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Zyrtarët evropian thanë se qëllim i bisedimeve është nxitja e bashkëpunimit dhe afrimi i Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.

Pritjet e palëve megjithatë janë të ndryshme. Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të bisedimeve për statusin politik dhe tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa Beogradi shpreson që në një periudhë të mëvonshme të hap edhe çështjet politike për të arritur, siç thuhet, një kompromis historik për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Delegacioni i Prishtinës, shkoi me disa orë vonesë në takimin e së martës, për shkak se Parlamenti i Kosovës nuk arriti një pajtim për një dokument rreth bisedimeve. Parlamenti ka caktuar të enjten seancën ku pritet të diskutohet për miratimin e një Rezolute në mbështetje të bisedimeve me Serbinë. Opozita kërkon përgatitjen e një platforme të qartë të bisedimeve, ndërsa një pjesë e saj kundërshton përfshirjen në to derisa Serbia nuk plotëson disa kushte, përfshirë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave të saj paralele.