Në Shqipëri ish ministri i Ekonomisë Dritan Prifti tha sot se videoja e gjetur nga prokurorët në të cilën ai shfaqet duke ndarë me zëvendësin e tij në atë kohë, një shumë prej 70 mijë eurosh, nuk e implikon atë në asgjë të paligjshme por vetëm sa përforcon akuzat që ai ka bërë ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Zoti Prifti foli sot përpara Këshillit të Imuniteteve të parlamentit pas kërkesës së prokurorisë për të nisur një procedim penal ndaj tij. Ai tha se ishte në dispozicion të Drejtësisë në cdo moment.
http://www.youtube.com/embed/OM-mqcGXEuM
Në materialet që ish ministri Dritan Prifti dorëzoi në Prokurori për cështjen e videos që lidhej me ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta, u gjend një tjetër filmim në të cilin këtë herë ishte vetë zoti Prifti i cili sipas prokurorëve bisedonte me zëvendësin e tij Leonard Beqiri për “përfitime të paligjshme financiare e më pas ndanin mes tyre 70 mijë euro”. Ish ministri megjithatë dha një variant tjetër të përmbajtjes se kësaj videoje, ndërsa foli në Këshillin e Imuniteteve pas kërkesës që prokuroria ka bërë për heqjen e imunitetit të tij: “Filmimi i bisedes me zotin leonard Beqiri u bë vetëm për të vërtetuar gjërat që kam thënë dhe kjo video vetëm hedh dritë mbi arsyet e presionit që zoti Meta ka bërë mbi mua sistematikisht. Aty dalin një tufë faktesh të reja që provojnë të gjitha ato që kam thënë për të”
Po paratë që sipas prokurorisë ndahen mes tij dhe zëvendësit të vet? “Ju them garanci se do duhet vetëm një seancë me prokurorinë për ta zbërthyer dhe vërtetuar cështjen e për të vërtetuar që faktet janë krejtësisht ndryshe”.
Ish ministri Prifti tha se ndaj tij kanë vazhduar përpjekjet dhe kërcënimet sic u shpreh ai, por se betejën për transparancë sic u shpreh nuk do ta ndalojë. Zoti Prifti deklaroi se ishte i gatshëm të linte imunitetin e tij dhe se do të ishte në dispozicion të drejtësisë në cdo moment.
Parlamenti ka afruar për nesër seancën në të cilën do të votojë dy kërkesat e prokuorisë për heqjen e imunitetit si ndaj zotit Prifti ashtu dhe ndaj ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta i cili gjithashtu ka kërkuar publikisht të mos ketë mbrojtjen që gëzon si deputet. Ndërkaq, pasdite ish zëvendësministri Beqiri i cili aktualisht është drejtor i Metrologjisë, njoftoi se ka dhënë dorëheqjen për tu vënë në dispozicion të hetimeve.