Gazetari dhe prezantuesi televiziv britanik Piers Morgan u largua të martën nga drejtimi i programit të mëngjesit në televizionin ITV, pas kritikave të tij ndaj gruas së Princit Harry, Meghan rreth intervistës së çiftit me Oprah Winfrey-in.
ITV e konfirmoi largimin në një deklaratë të shkurtër.
Morgan, 55 vjeç, ish-prezantues në CNN, e ka akuzuar çiftin se ka dëmtuar familjen mbretërore dhe se është përpjekur për publicitet, pa pranuar përgjegjësitë dhe vemendjen e medias që vijnë natyrshëm me pozitën e tyre.
Në një koment në Twitter, prezantuesi i njohur e quajti Meghanin "Princesha Pinoku" dhe tha të hënën se ai nuk "besonte as edhe një fjalë që ajo tha" në intervistën e saj.
Meghan e ka akuzuar familjen mbretërore se e shtyu atë deri në prag të vetëvrasjes dhe se dikush në familjen mbretërore kishte shtruar pyetje në lidhje me ngjyrën e lëkurës së djalit të saj të palindur - akuza që kanë ngritur dyshime rreth së ardhmes së monarkisë.
Komentet e gazetarit Morgan bënë që të dërgoheshin më shumë se 41,000 ankesa në adresë të rregullatorit të medias britanike, i cili njoftoi se kishte hapur një hetim në bazë të rregullave të tij për “dëmtim reputacioni dhe fyerje”.
Morgan, i cili ka 7.7 milionë ndjekës në Twitter, postoi në platformë imazhin e një orë të shoqëruar me një tik-tak, pak para deklaratës së televizionit ITV.
Carolyn McCall, shefe ekzekutive e ITV, kishte thënë më herët se ajo e besonte "plotësisht" zonjën Meghan Markle.
Të martën, Morgan i zbuti pak komentet e tij të para, duke thënë:
"Unë ende kam shqetësime serioze në lidhje me vërtetësinë e shumë prej asaj që ajo (Meghan) tha, por më lejoni të them diçka për atë që mendoj mbi sëmundjen mendore dhe vetëvrasjen. Ato duhet të merren jashtëzakonisht seriozisht dhe nëse dikush ndihet në atë gjendje, ai person duhet të marrë trajtimin dhe ndihmën e duhur. Nëse i përket një institucioni si familja mbretërore dhe shkon ta kërkojë atë ndihmë, ajo absolutisht që duhet t'i jepet", tha ai.