Raundet e fundit të bisedimeve Kosovë Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre janë përqendruar rreth pretendimeve financiare e pronave, por pa ndonjë përafrim qëndrimesh.
Gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës mbi këto çështje ish-zyrtarë të institucioneve të Kosovës, analistë dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thanë se mungesa e përgatitjes nga ana e institucioneve të Kosovës do të jetë një sfidë në përmbushjen e kërkesave të saj në kuadër të bisedimeve.
Your browser doesn’t support HTML5
Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Kosovës, Ahmet Shala tha se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, institucionet janë zotuar të marrim përsipër borxhet që i takojnë Kosovës si pjesë e ish federatës jugosllave, por jo edhe ato të periudhës së pas vitit 1989 kur i është hequr autonomia.
“Çdo borxh tjetër pas 22 marsit të vitit 89 pra pas marrjes së Kushtetutës së Kosovës çdo borxh që ka marr Serbia përkatësisht Jugosllavia qoftë ajo e vjetra qoftë kjo tjetra edhe që nuk e kanë aprovuar organet legjitime të krahinës Autonome të Kosovës ose institucionet e UNMIK-ut ose institucionet e përbashkëta pas vitit 2000 nuk mund të konsiderohen obliguese për Kosovën sepse Serbia dhe Jugosllavia kanë vazhduar të nënshkruajnë borxhe edhe pas viteve 90-ta edhe pas vitit 2000 edhe faktikisht duke pretenduar se Kosova është pjesë përbërëse e saj”, tha zoti Shala.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se çdo viktimë gjatë luftës në Kosovë ka të drejtë të kërkoj kompensim nga shteti përkatës. Ai tha se varrezat masive të zbuluara në Serbi, proceset e Gjykatës së Hagës ndaj ish Jugosllavisë dhe mbajtja e paligjshme e shqiptarëve nëpër burgje të Serbisë janë disa nga dëshmitë që mund të përdoren për të kërkuar kompensim.
“Unë mendoj se shtrimi i temës së reparacioneve në tryezën e bisedimeve së paku për këto kategori të viktimave që unë i përmenda e që mund të dokumentohen do të ishte një veprim i duhur nga pala kosovare mirëpo duhet ditur se edhe familjarët e viktimave jo shqiptare duhet të kenë të drejtën e njëjtë të dëmshpërblehen për vuajtjet e tyre dhe për këtë pala kosovare duhet ta ketë parasysh. Për mendim timin edhe në qoftë se asgjë tjetër nuk do të arrihet me parashtrimin e kësaj kërkese për reparacione së paku dinjiteti i viktimave dhe familjeve të tyre do të kthehet në një mënyrë e kjo për të ardhmen do të lehtësonte procesin e pajtimit ose relaksimit të marrëdhënieve në mes shoqërisë kosovare dhe asaj serbe”, tha zoti Blakaj.
Ligjëruesi i politikave sociale, Artan Mustafa, tha se zgjidhja e çështjes së pensioneve do të jetë vështirë e realizueshme dhe se ekipet e Kosovës duhet të përgatiten me fakte për çdo pretendim financiar kundruall Serbisë.
“Unë prej diskutimet deri sot nuk kam parë raport të hartume prej institucioneve zyrtare të Kosovës lidhje me gjitha këto aspekte edhe gjatë emërimeve në ekipet negociatore shpesh është folur për memorjen e tyre individuale që kanë, do të thotë përvojën në bisedime mirëpo kjo është hsumë pak si përgatitje për adresimin e këtyre temave kaq të rëndësishme që kërkojnë detaje dhe hulumtim”, tha zoti Mustafa.
Kosova dhe Serbia vazhdojnë të shohin çështjen e dëmeve të luftës në mënyra të ndryshme dhe rrjedhimisht, sipas ekspertëve, kjo do të jetë një nga temat më të vështira në procesin e bisedimeve që tashmë po hynë në vitin e dhjetë të tij.