Presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dënojnë sulmin ndaj KFOR-it

Presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dënojnë sulmin ndaj KFOR-it

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e dënoi sot sulmin mbi forcat e NATO-s të cilin ajo e cilësoi si të nxitur e të mbështetur nga strukturat kriminale.

Në një deklaratë për opinion, thuhet se Presidentja e Kosovës konsideron se aktet e tilla të dhunës janë të patolerueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe qëndrueshmërisë.

Këto akte do të marrin përgjigje ligjore sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vlerë kjo e demokracisë, thuhet ne reagimin e presidentes Jahjaga, e cila e ka cilësuar sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, si një akt të shëmtuar që gjykohet nga të gjithë qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Në reagim ajo ka ritheksuar mbështetjen për forcat e NATO-s dhe rolin e tyre për vendosjen e sundimit të ligjit, parandalimit të akteve të dhunës dhe për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe të mallrave në gjithë territorin e Kosovës.

Edhe Kryeministri Hashim Thaçi e dënoi dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it nga ana e "strukturave kriminale", siç u shpreh ai, në pjesën veriore të Kosovës. Në reagimin e tij thuhet se Qeveria e është e vendosur dhe përkrah vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

"Të githë ato struktura kriminale në veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqëruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar," thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi, në të cilin shprehet përkushtimi për "jetësimin e plotë të vizionit të saj për hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik," si dhe për zhvillimin e procesit demokratik zgjedhor edhe në pjesën veriore të Kosovës.