Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, bëri sot të ditur se nuk do të paraqitet dhe as nuk do të dërgojë informacion për veprimtarinë e vet në komisionin hetimor parlamentar për hetimin e ngjarjeve të dhunshme në 21 janar gjatë demonstratës së Partisë Socialiste.
Një këshilltar i Presidentit Topi, deklaroi sot se sipas kompetencave kushtetuese, është presidenti ai që kërkon të dhëna me shkrim nga institucionet shtetërore, dhe vetë kërkesa e komisionit hetimor e vështirëson kthimin e një përgjigjeje. Këshilltari juridik i presidentit, Spiro Peçi, tha në një konferencë shtypi se presidentit sipas ligjit mund t’i merret dëshmi vetëm në selinë ku ai ushtron funksionin e kryetarit të shtetit.
“Presidenti i Republikës në respekt të institucioneve, siç është Kuvendi apo dhe komisionet e tij hetimore, shpreh gatishmërinë duke iu përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, por vetëm në përputhje me ligjet e këtij vendi. Duke marrë shkas nga sa më sipër, dëshirojmë të theksojmë se Komisioni Hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin. Duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor” - tha ai.
Këshilltari i presidentit, Spiro Peçi, theksoi se Komisioni Hetimor në kërkesën e vet për të kontrolluar telefonat është në shkelje të hapur të ligjeve të vendit, sepse sipas ligjit, të dhënat e tabelave operatorët celularë janë të detyruar t’ja japin vetëm prokurorisë me kërkesë të saj.
Ndërkaq kryeministri Sali Berisha tha se hetimi i 4 gazetarëve nga komisioni hetimor parlamentar nuk ka të bëjë me punën e tyre si gazetarë, por me veprimtarinë e tyre që lidhet me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit.
“Nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë proces ndaj medias së lirë dhe të pavarur. Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi Komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit dhe me veprime të tjera që do ti bëhen të ditura publikut. Dhe kurrë ndonjëherë në këtë vend sa të jemi ne në pushtet, një gazetar nuk do të gjykohet, nuk do të paditet, nuk do të pësojë, për opinionin e tij, për shkrimin e tij, për mendimin e tij, por tjetër gjë është gazetaria dhe tjetër është implikimi në veprime konkrete, që nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë, por kanë lidhje me veprime të tjera” - tha ai.
Zoti Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se hetimi do të ndriçojë çdo detaj të zhvillimeve të 21 janarit, ndërkohë që qeveria po vazhdon me agjendën e saj të investimeve në infrastrukturë dhe po punon që zgjedhjet vendore të zhvillohen normalisht sipas ligjit, të lira dhe të ndershme.
Por ndërkohë, kryetari i Partisë Socialise, Edi Rama, deklaroi se opozita“ nuk i sheh zgjedhjet e 8 majit si një mundësi për të dalë nga kjo krizë e jashtëzakonshme, sa kohë që qeveria sulmon presidentin, prokuroren dhe shërbimin informativ”, sulmon gazetarët dhe nuk arreston 6 drejtuesit e Gardës të kërkuar nga drejtësia. Zoti Rama tha se “opozita është e gatshme për dialog dhe kompromis, por nuk do të ndalë rezistencën paqësore, derisa qeveria nuk zmbrapset nga rruga antikushtetuese e antidemokratike ku është futur”. Sipas tij, opozita do të demonstrojë të premten në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Korçë për të kërkuar rivendosjen e demokracisë me zgjedhje të lira e të ndershme.