Presidenti Obama vlerëson huanë e FMN-së për Ukrainën

Presidenti amerikan Barak Obama tha se vendimi i FMN-së për një borxh deri në 18 miliardë dollarë për Ukrainën përbën një hap të madh përpara. Duke dolur sot në Romë, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Italisë Matteo Renzi, zoti Obama tha se njoftimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar është një sinjal konkret që bota qëndron e bashkuar përkrah Ukrainës ndërsa ky vend kalon një kohë të vështirë. Ai shtoi se zyrtarët e Ukrainës kanë mundësinë që të tregojnë kurajo të konsiderueshme dhe largpamësi, nëse ndërmarrin reformat që do të ndihmojnë Kievin të forcojë ekonominë.

Presidenti i SHBA-së Barak Obama tha se në takimin me Kryeministrin italian Renzi ishin përqëndruar tek situata në Ukrainë. Në komentet e tij pas takimit ai e vlerësoi njoftimin e FMN-së për borxhin ndaj Ukrainës si një mundësi që Ukraina të mund të stabilizojë ekonominë e saj dhe të mund t’i përgjigjet nevojave afatgjata të njerëzve.
Zoti Obama i bëri thirrje udhëheqësve të Ukrainës të luajnë rolin e tyre duke ndërmarrë reformat e nevojshme strukturale për realizimin e planit ekonomik për këtë vend.

“Udhëheqësit e Ukrainës mund të tregojnë kurajo dhe largpamësi duke ndërmarrë reformat që do të ndihmojnë në rritjen e ekonomisë së tyre dhe në lënien pas të korrupsionin e së shkuarës.”

Presidenti Obama i bëri gjithashtu thirrje Kongresit amerikan që të veprojë siç duhet në mënyrë që dhe Shtetet e Bashkuara të japin kontributin e tyre.
Presidenti Barak Obama tha se sanksionet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe BE-ja ndaj Rusisë do të rriten nëse Moska “nuk ndryshon drejtim”.

Presidenti amerikan do të qëndrojë sonte në Romë dhe nesër ka në plan të shkojë në Arabinë Sausite me sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry.

Nga ana e tij Kryeministri italian Matteo Renzi tha mes të tjerash se e falenderonte presidentin Obama për sfidën për përmirësim para së cilës ka vendosur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Unë besoj se Evropa ka nevojë për reforma, por edhe për rritje. Unë besoj se Evropa duhet të jetë vendi ku politika kthehet t’u japë shpresë familjeve.”

Zoti Renzi tha se konfirmon impenjimet që Italia ka marrë përsipër me partnerët evropianë dhe me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në lidhje me zonën e Mesdheut, duke përfshirë Afrikën veriore.