Ndërkohë që presidenti Barak Obama përgatitet të mbajë një fjalim drejtuar vendit lidhur me operacionet në Libi, udhëheqësit e NATO-s vazhdojnë përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për të transferuar kontrollin e misionit ndërkombëtar.
Zyrtarët e NATO-s thanë se nuk bëhej fjalë për pajisjen me armatime të kryengritësve libianë, megjithëse goditjet ajrore të trupave të koalicionit u kanë dhënë mundësi kryengritësve të avancojnë drejt territoreve nën kontrollin qeveritar.
Komandantët e NATO-s thanë se nuk kanë marrë anën e asnjërës palë në konflikt dhe synimi i vetëm mbetet mbrojtja e civilëve, në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që autorizoi goditjet ajrore. NATO-ja mund të marrë brenda pak ditësh komandën e operacioneve.
Administrata e Presidentit Obama i ka dalë në mbrojtje vendimit për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi dhe për të ndihmuar në zbatimin e zonës së ndalim-fluturimit. Por disa anëtarë të Kongresit thonë se veprimet dhe objektivat amerikane nuk janë të qarta.