Presidenti Obama dënon fuqishëm dhunën në Libi

  • Dan Robinson

Presidenti Obama dënon fuqishëm dhunën në Libi

Të mërkurën presidenti amerikan Barak Obama e dënoi fuqishëm dhunën e sanksionuar nga qeveria libiane kundër demostruesve dhe tha se Shtetet e Bashkuara po shtojnë konsultimet ndërkombëtare mbi trajtimin e situatës. Presidenti foli për median së bashku me Sekretaren e Shtetit Clinton pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Citimet e presidentit erdhën në fund të një dite kur Shtetet e Bashkuara i intensifikuan konsultimet me qeveritë e tjera për të shtuar presionin ndaj qeverisë së Libisë që ajo t'i japë fund dhunës kundër protestuesve dhe kur Washingtoni po përpiqet të sigurojë që amerikanët që mundohen të largohen nga Libia mund ta bëjnë këtë në rrugë të sigurta.

Pa e përmendur emrin e udhëheqësit të Libisë Moammar Gadhafi, zoti Obama tha se qeveria libiane do të mbahet përgjegjëse për dhunën kundër protestuesve paqësorë. Po ashtu ai dënoi dhunën e sanksionuar nga qeveria.

"Populli amerikan u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve dhe të afërmëve të atyre që janë vrarë dhe plagosur. Vuajtjet dhe gjakderdhja janë mizore dhe të papranueshme. Të tilla janë edhe kërcënimet dhe urdhërat për të qëlluar protestuesit paqësorë dhe dënuar edhe më tej popullin e Libisë."

Presidenti shtoi se qeveria libiane mban përgjegjësi për tu përmbajtur nga dhuna, të lejojë ndihmat humanitare që të shkojnë tek ata që kanë nevojë dhe të respektojë të drejtat e popullit të saj. Zoti Obama shtoi se qeveria e Libisë do të mbahet përgjegjëse për dështimin e plotësimit të këtyre përgjegjësive dhe do ti kushtojë nëse vazhdon të dhunojë të drejtat e njeriut.

Përkrah presidentit qendronte Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton e cila foli më herët për shtypin në Departamentin e Shtetit. Presidenti njoftojë se zonja Clinton do të shkojë në Gjenevë javën që vjen për të marrë pjesë në një mbledhje të ministrave të jashtëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar trazirat në rajon.

Presidenti po ashtu njoftoi se Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike William Burns do të bëjë disa ndalesa në rajon dhe në Evropë si pjesë e konsultimeve ndërkombëtare.

Më herët, sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jay Carney ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi implikimet e zhvillimeve në Libi për politikën e jashtëme amerikane dhe hapat që Uashingtoni mund të ndërmarrë.

"Veprimet më të efektshme do të ndërmerren në unison nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtar. Kjo do të ketë ndoshta ndikimin më të rëndësishëm mbi sjelljen e qeverisë libiane."

Zëdhënësi Carney tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë veprime të shumëanëshme dhe të dyanëshme por ai nuk pranoi të diskutonte rreth sygjerimeve të ofruara si përshembull caktimi një zonë ku nuk lejohet fluturimi mbi Libinë apo mundësia e përfshirjes së NATO-s.

Por presidenti përsëriti të martën se trazirat në rajon po nxiten nga dëshira e njerëzve për ndryshim.

"Është e qartë. Ndryshimet që po bëhen në mbarë rajonin po nxiten nga popullsia e atij rajoni. Pas kësaj nuk fshihet veprimtaria e Shteteve të Bashkuara apo të ndonjë fuqie tjetër të huaj. Ky ndryshim përfaqëson aspiratat e popullit që po kërkojnë një jetë më të mirë."

Ndërkohë që administrata amerikane studion të gjitha alternativat për të reaguar ndaj krizës në Libi, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë të trajtojnë zhvillimet në vende të tjera, përfshi mënyrave se si të mbështetet në mënyrën më efektive tranzicioni paqësor drejt demokracisë në Tunizi dhe Egjipt.