Presidenti Mubarak i solli stabilitet Egjiptit, por me një çmim të lartë

  • Mariama Diallo

Presidenti Mubarak i solli stabilitet Egjiptit, por me një çmim të lartë

Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak u ngrit në pushtet fillimisht në postin e komandantit të Forcave Ajrore gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1973. Ai ka sunduar vendin për gati 30 vjet. Disa njerëz thonë se ai e ka mbajtur gjendjen të qëndrueshme në Egjipt, por shumë të tjerë, protestues dhe anëtarë të opozitës, po i kërkojnë atij të japë dorëheqjen. Në vazhdim do të sjellim disa hollësi rreth jetës së zotit Mubarak dhe se cili mund të jetë fati i tij politik.

Në postin e nën-presidentit, Hosni Mubarak ishte dëshmitar i njërës prej ngjarjeve më të rënda në historinë e Egjiptit: vrasja e Presidentit Anwar Sadat në vitin 1981 gjatë një parade ushtarake. Vrasësit ishin ekstremistë islamikë brenda ushtrisë.

David Ottaway ishte shef i zyrës së gazetës Washington Post në Kairo.

"Unë isha pjesë e gazetarëve, që mbulonin paradën kur u vra presidenti Sadat, dhe pashë Mubarakun, që doli nga pirgu i karikeve të shkatërruara, shkundi pluhurin nga kapelja. Dukej tepër i tronditur nga ajo që kishte ndodhur".

Zoti Mubarak bëri betimin si president pas 8 ditësh. Zoti Ottaway e përshkruan Mubarakun si kokëfortë dhe si njeri që nuk tregoi kurrë interesim për të krijuar marrëdhënie të mira me median e huaj.

"Ai ishte gjithnjë fjalëpakë. Përgjigjet e tij ishin të shkurtëra dhe nuk e kuptoje se ç’donte të thoshte kur fliste. Në fakt, ai nuk ofronte ndonjë vizion për vendin e tij, me përjashtim të stabilitetit".

Dhe gjatë pjesës më të madhe të 30 vjetëve në pushtet, gjendja në Egjipt ishte e qëndrueshme. Kairoja luajti një rol të rëndësishëm për mbajtjen në fuqi të një traktati paqeje mes Egjiptit dhe Izraelit, traktat që nuk ishte popullor në vend.

I përbuzur nga arabët për shkak të këtij traktati, Egjipti më në fund u pranua përsëri në botën arabe.

Qeveria e zotit Mubarak u përpoq për të çuar përpara procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Madje ajo ishte aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara.

Shumë njerëz thonë se stabiliteti në Egjipt u mbajt me një çmim të lartë.

Njerëz të njohur u burgosën sepse kritikuan zotin Mubarak.

Presidenti, i mbrojtur nga një forcë e madhe sigurimi, i shpëtoi disa përpjekjeve për atentat, madje thoshte se nuk kishte frikë.

"Asnjeri nuk do të jetojë për gjithmonë".

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Demokratike Kombëtare e presidentit Mubarak fitoi ndjeshëm ndaj opozitës, mes akuzave për frikësimin e votuesve dhe manipulimin e votave.

Udhëheqësit e Vëllazërisë Muslimane, lëvizja opozitare më popullore, u përballën me arrestime të vazhdueshme dhe paraburgime të gjata.

Kohët e fundit, përpjekjet e zotit Mubarak për ta paraqitur djalin e tij Gamal si pasardhës u pritën me pakënaqësi nga egjiptianët.

Ndërsa reformat ekonomike e zgjeruan hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

"Nga aspekti ekonomik, reformat që ata filluan në vitin 2004 sollën rezultate shumë të mira. GDP-ja në Egjipt u dyfishua në periudhën 2004-2008. Pra ekonomia ishte në gjendje shumë të mirë, por të varfërit nuk përfituan nga lulëzimi ekonomik dhe kjo u pasua nga trazirat që po shikojmë tani".

Më pas erdhën ngjarjet dhe revolta në Tunizi. Egjiptianët i panë këto zhvillime dhe menduan se edhe ata mund të bënin të njëjtën gjë.

Protestat filluan më 25 janar dhe nuk duken shenja se do të shuhen së shpejti.